Rajoni

“The Guardian”: Gjyqi në Hagë ndaj Hashim Thaçit do të rishkruajë historinë!

Britanikja “The Guardian” i kushton një artikull Hashim Thaçit, i cili përballet me akuzat për krime lufte e kundër njerëzimit në Hagë.

Çerek shekulli më parë, në mes të luftës në Kosovë e pas saj, figura të larta ndërkombëtare ndërtuan një shteg drejt derës së Hashim Thaçit, komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, i cili më vonë do të bëhej politikani më i shquar i vendit.

Por, Thaçi i cili shërbeu si kryeministër dhe president i Kosovës, javën e kaluar u paraqit në bankën e të akuzuarve të një gjykate të Hagës, me tre kolegë të shquar, të gjithë të akuzuar për krime lufte të kryera gjatë konfliktit, përfshirë bashkëpunimin në vrasjen e 102 personave.

Pretendohet se viktimat përfshinin përkrahës shqiptarë etnikë të partisë politike rivale LDK, civilë serbë e romë, të cilët pa proces të rregullt u mbajtën në kushte çnjerëzore në selinë e UÇK-së, iu nënshtruan torturës dhe në disa raste, u ekzekutuan.

Gjyqi që u hap dy vjet pasi burrat u dorëzuan në juridiksionin e gjykatës dhe pritet të zgjasë deri në gjashtë vjet, tashmë duket i sigurt se do të rishkruajë historinë e konfliktit.

Procedurat thellësisht të papëlqyeshme në Kosovë e Shqipërinë fqinje, kujtojnë periudhën e konfliktit brutal mes viteve 1998-1999.

Në një luftë fillimisht të zhvilluar në dhe rreth fshatrave e qyteteve të vogla në bastionin malor të Drenicës të UÇK-së, Thaçi i njohur me pseudonimin “Gjarpri” ishte përfaqësues politik në shtabin e përgjithshëm të UÇK-së.

Më pas, në fund të të 20-tave u dallua mes kolegëve komandantë për inteligjencën dhe besimin, më vonë duke përfaqësuar UÇK-në në negociatat e dështuara të paqes në Rambuje të Francës në fillim të vitit 1999 e që i paraprinë ndërhyrjes së NATO-s në konflikt.

Më tej, në artikull thuhet:

Nëse gjyqi në Hagë është goditës, kjo është për shkak se ndërhyrja e NATO-s në Kosovë u përkufizua si përgjigje ndaj krimeve të rënda të luftës, jo më pak e masakrës së Reçakut nga forcat serbe në janar 1999, e që ripërcaktoi shtrirjen e ndërhyrjes ushtarake mbi baza humanitare.

Aksioni ushtarak në shkallë të gjerë i nisur nga Beogradi pas fillimit të bombardimeve të NATO-s bëri që qindra mijëra civilë të largoheshin nga Kosova për në vendet fqinje.

Sipas një zyrtari i cili është takuar me Thaçin, ndonëse kishte “atmosferë autoriteti”, nuk arriti ta rikrijonte plotësisht veten si politikan i pavarur.

“The Guardian” shkruan se ndërsa nënvizohet se çështja në gjykatë ka vazhduar me ritëm thuajse të akullt, me Kosovën nën presion nga ish-mbështetësit e saj perëndimorë për të dorëzuar Thaçin dhe kolegët e tij të pandehur, pretendimet më të habitshme nga raporti i Dick Marty-t, se viktimat u vranë dhe u morën organet, janë zhdukur nga procedurat.

Kjo çështje ka gjasa të jetë e vështirë të marrë zgjidhje për aq kohë sa ata që patën mundësinë të vëzhgonin Thaçin e UÇK-në nga afër, nuk janë të sigurt pas 25 vitesh lidhur me autoritetin që ai kishte gjatë konfliktit.