Bota

I nxehti i tetorit pothuajse garanton se 2023-ta do të jetë viti më i nxehti në histori!

Muaji i kaluar ishte më i nxehti i regjistruar globalisht, 1.7 gradë më i nxehtë se mesatarja për muajin tetor para epokës industriale, si dhe muaji i pestë me radhë me një rekord të tillë, që nënkupton se është pothuajse e sigurt se ky vit do të jetë më i nxehti i regjistruar ndonjëherë në histori.

Tetori ishte 0.4 gradë më i nxehtë se rekordi i mëparshëm për tetorin nga viti 2019, duke habitur madje edhe Samantha Burgessin-in, zëvendësdrejtoreshën e Shërbimit të Bashkimit Europian për Ndryshime Klimatike, Copernicus. Burgess deklaroi:

Shkalla me të cilën po i thyejmë rekordet është tronditëse.

Pas të nxehtit të muajve të fundit, praktikisht është e sigurt se viti 2023 do të regjistrohet si viti më i nxehtë në histori, sipas Copernicusit.

Shkencëtarët mbajnë nën vëzhgim klimat e ndryshme për të kuptuar mënyrën se si planeti ynë zhvillohet si pasojë e emetimeve të gazrave serë nga dora e njeriut. Një planet më i nxehtë nënkupton edhe një mot ekstrem më të shpeshtë, si thatësira të mëdha apo uragane që përmbajnë më shumë ujë. I këtij mendimi është Peter Schosser, zëvendëspresident i Laboratorit për të Ardhmen Globale në Universitetin e Shtetit të Arizonës.

Kjo është edhe një shenjë e qartë se ne po shkojmë drejt një regjimi klimatik, i cili do të ketë më shumë ndikim tek njerëzit.

Në një sqarim të mëtejshëm, Burgess vuri në dukje:

Ky vit ka qenë tejet i nxehtë kryesisht për shkak se oqeanet janë duke u ngrohur, që nënkupton se ato po punojnë më pak tani se në të kaluarën për t’iu kundërvënë ngrohjes globale. Historikisht, oqeani e ka thithur 90% të të nxehtit tepricë nga ndryshimi klimatik.

Nga ana tjetër, kjo sipas Schlosserit nënkupton se bota duhet të përgatitet për rekorde të reja si pasojë e ngrohjes. Ai shtoi se planeti ynë po i tejkalon tashmë 1.5 gradë të ngrohjes prej epokës para industriale dhe se planeti ende nuk e ka parë ndikimin e plotë të ngrohjes.

Ai, Burgess, por edhe shkencëtarët e tjerë thonë se nevoja për të vepruar, për t’i ndaluar emetimet që po e ngrohin planetin, sidomos në këto kohë është tepër urgjente.