Bota Botë e Çuditshme

I zhdukur për më shumë se një vit, gjarpri gjendet mbi çatinë e një garazhi në Britani!

Shoqata për parandalimin e mizorisë ndaj kafshëve në Britani (RSPCA) ka njoftuar se një gjarpër që kishte ikur nga shtëpia para më shumë se një viti është gjetur pasi u hodh në një çati nga një sorrë. RSPCA tha se ekipi i tyre i është përgjigjur menjëherë thirrjes së banorit që vuri re gjarprin 3 metra në kopshtin e tij.

“Kur mbërritëm, gjarpri ishte zhdukur dhe më pas u zbulua në çatinë e një garazhi. Ne dyshojmë se sorra i kishte dhënë gjarprit një shtysë jo shumë të dobishme, por fatmirësisht, ne mundëm t’i vinim në ndidhmë”,-tha RSPCA. Gjithashtu, shoqata ka zbuluar se gjarpri ishte një kafshë shtëpiake e quajtur Agnes dhe ishte zhdukur nga shtëpia për më shumë se një vit.

“Gjarpri kishte një infeksion të frymëmarrjes nga qëndrimi jashtë në të ftohtë, por është një mrekulli që mbijetoi fare pas kaq shumë kohësh”,-tha shoqata. “Ai është trajtuar për këtë dhe ne do t’i gjejmë një shtëpi të re në kohën e duhur pasi pronari nuk mund ta mbajë më atë”,-shtoi RSPCA, duke theksuar se historia mund të tingëllojë paksa e pabesueshme.

Ndërkaq, studiuesit në Institutin Kërkimor biomjekësor Scripps, në Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar një antitrup që është në gjendje të bllokojë efektet e toksinave vdekjeprurëse të pranishme në helmet e një shumëllojshmërie të gjerë gjarpërinjsh, duke përfshirë mamban e famshme të zezë, që konsiderohet si zvarraniku më i rrezikshëm në botë dhe kobran, gjarpri helmues më i gjatë në botë.

I testuar te minjtë, antidoti i mbrojti ata jo vetëm nga vdekja, por edhe nga paraliza. Megjithatë, antitrupi nuk funksionon kundër helmit të nepërkës. Për të zhvilluar një antidot universal, do të nevojitet një koktej i përbërë nga antitrupa të ndryshëm. Studiuesit u frymëzuan nga studimet e tyre të mëparshme të kryera mbi vaksinat kundër virusit HIV. Ata kuptuan se, si HIV, toksinat e gjarpërinjve kanë gjithashtu rajone të ruajtura që nuk mund të ndryshojnë nga një specie në tjetrën dhe që për këtë arsye përbëjnë objektiva ideale për një antitrup të synuar.