Bota

Ish-kryeprokurori Barr parashikon telashe për Trump-in/Ish-presidenti amerikan: I paaftë!

Telashe të mëdha parashikon ish-kryeprokurori amerikan, William Barr për ish-shefin e tij, ish-presidentin Donald Trump. Barr, i cili punoi në kohën e administratës Trump, thotë për mediat se ish-presidenti do të jetë në telashe të mëdha, nëse provohen si të vërteta akuzat për keqpërdorim të dokumenteve të klasifikuara.

Barr kritikon Trump-in se ai nuk kishte të drejtë të mbante dokumente të klasifikuara. Këtë veprim të tij e konsideron “gabim të madh”. Nesër, Trump do të paraqitet në gjykatë ku pritet të përballet me një sërë akuzash sa i përket posedimit të paligjshëm të dokumenteve të klasifikuara, por ish-shefi i Shtëpisë së Bardhë vazhdon të mohojë akuzat.

Në një koferencë për shtyp, Barr u shpreh “i shokuar” nga rëndësia e këtyre dokumenteve dhe numri i madh i tyre. Këto akuza, ish-numri një i akuzës në SHBA i cilëson “rrënuese për reputacionin, si dhe pozitën e Trump-it”.

Dokumentet varionin nga plane dhe strategji lufte e deri tek shpenzimet e shtetit. Sipas Barr-it, këto dokumente i përkasin shtetit e askujt tjetër, pavarësisht pozicionit që kanë patur.

Shumë republikanë nuk i pranojnë akuzat ndaj ish-presidentit nga radhët e tyre dhe që ka shpallur synimin për të kandiduar sërish në zgjedhjet presidenciale të 2024-ës. Ata akuzojnë Departamentin e Drejtësisë dhe opozitën.

Ndaj këtyre spekulimeve, Barr përgjigjet:

Akuzat nuk kanë motiv politik dhe nuk janë propaganda të opozitës, por thjesht kërkim i së drejtës.

I menjëhershëm reagimi i Trump-it, duke e quajtur të paaftë Barr-n e thjesht të inatosur se siç tha, “e pati shkarkuar nga detyra”.

Gjatë fushatës, Trump adresoi akuzat e hedhura ndaj tij, duke i quajtur  “propagandë për t’i prishur fushatën e të hedhura nga sistemi i korruptuar”. Gjithashtu, Donald Trump u zotua para mbështetësve se fushata do të vazhdojë edhe nëse shpallet fajtor. Ish-presidenti akuzohet për mbajtjen e paligjshme të qindra dokumenteve të klasifikuara, përfshirë dokumente me përmbajtje të ndjeshme në shtëpinë e tij në Florida pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë. Sipas ligjit, dokumentet e qeverisë duhet të kthehen në arkivat shtetërore pas largimit të presidentit. Besohet se nëse akuzat konfirmohen, Trump rrezikon burgun.

Për shkak të procesit gjyqësor në Miami, pritet prani e shtuar policore, pasi besohet se rrugët do të mbushen me protesta të mbështetësve të ish-presidentit.