Bota

Izraeli gati të hyjë në Gaza, Biden bisedime për të shtyrë pushtimin e plotë!

Lufta në Lindjen e Mesme vazhdon dhe sot është në ditën e saj të 16-të. Deri tani asgjë serioze në horizont që të mund të shpresohet në mbylljen e shpejtë të konfliktit të ashpër. Samiti i Paqes në Kajro të Egjiptit përfundoi pa një rezultat. Deklarata përfundimtare u anashkalua për shkak të një përplasjeje pikëpamjesh mes liderëve të vendeve të botës arabe dhe atyre të Perëndimit.

Nisur nga kjo situatë, kryeministrja italiane, Giorgia Meloni deklaroi:

Ne kemi nevojë për de-përshkallëzimin e situatës. Nuk duhet një përplasje mes qytetërimeve.

Ndërkaq, ushtria izraelite është gati për një sulm tokësor. Gjatë natës u bombardua një kompleks nëntokësor që i përkiste Hamasit në xhaminë Al-Ansar në Jenin. Një i ri humbi jetën dhe tre persona u plagosën gjatë bombardimeve. Izraelitët thanë se aty fshihej një celulë terroriste që po planifikonte një sulm të shpejtë.

Po ashtu, Forcat Izraelite të Mbrojtjes po planifikonin sulme ajrore në dy aeroporte të Sirisë: në kryeqytetin sirian Damask e në Alepo, por i shmangën.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden konfirmoi bisedimet me qeverinë izraelite për të shtyrë pushtimin e plotë të Gazës, ndërsa Pentagoni njoftoi vendosjen e sistemeve të mbrojtjes në të gjithë Lindjen e Mesme. Gazetarëve që e pyetën, Biden iu tha:

Po flas me Izraelin!

Në një tjetër zhvillim, pikëkalimi i Rafahut mes Egjiptit e Gazës u mbyll sërish pasi dje 20 autokolonat e para me ndihma hynë në Rripin e Gazës. Më herët, Hamas liroi dy pengje amerikane: nënë e bijë. Grupi militant palestinez konfirmoi se është në kontakte të vazhdueshme me vende ndërmjetëse arabe, Egjiptin dhe Katarin, për lirimin e të tjerë pengjeve civilë.

Me fjalë të forta, ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant paralajmëroi grupin militant pro-iranian, Hezbollah që vepron në Liban.

Hezbollahu ka vendosur që të marrë pjesë në luftime, por do të paguajë një çmim të lartë!