Bota

Joe Biden do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së!

Presidenti amerikan Joe Biden do të marrë pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme, ku do të mbajë një fjalim mbi “kërcënimet” ndaj sigurisë ndërkombëtare, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Çështja e pushtimit rus të Ukrainës pritet të mbizotërojë sërish në bisedimet që liderët do të kenë me rastin e Asamblesë së Përgjithshme vjetore. Vitin e kaluar, pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar dënoi aneksimin e territoreve të Ukrainës nga Moska.

Biden, i cili sapo u kthye nga një turne në Azi, do të mbajë fjalimin e tij më 19 shtator, ditën e parë të paraqitjes së tij dy-ditore në Asamblenë e Përgjithshme, sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë Karin Jean-Pierre.

Shtëpia e Bardhë nuk specifikoi se me cilët liderë planifikon të takohet Biden në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme në Nju Jork. Në deklaratën e saj, zëdhënësja u kufizua duke thënë se presidenti “do të diskutojë me shumë liderë nga e gjithë bota çështjen e bashkëpunimit në trajtimin e kërcënimeve ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare, duke theksuar se sa i rëndësishëm është prosperiteti global dhe respektimi i të drejtave themelore”.

Ato ditë në Nju Jork do të jetë edhe kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, i cili do të vizitojë SHBA-në. Në korrik, Shtëpia e Bardhë tha se një takim midis Biden dhe Netanyahu “më vonë këtë vit” ishte i mundshëm, por deri më tani zyrtarët izraelitë nuk kanë specifikuar nëse kjo mund të ndodhë javën e ardhshme.