Aktualitet Politikë

Jorida Tabaku dorëhiqet si nënkryetare e PD-së!

Jorida Tabaku u tërhoq nga pozicioni i nënkryetares së Partisë Demokratike, pas vendimit të Kryesisë për të ecur përpara me procesin e zgjedhjeve në PD, vendim me të cilin Tabaku nuk ishte dakord. Pas një mbledhjeje të gjatë prej 10 orësh e të shënuar nga debate, kryesia e PD-së vendosi për të vazhduar me zgjedhjet, më 29 korrik. Në një deklaratë, Tabaku deklaroi:

Kërkesa ime e dëshira ka qenë e vetme dhe e thjeshtë, mos nxitohemi e t’i japim demokratëve një proces të drejtë, real dhe që na nderon. Të gjithë ishim dakord për faktin që PD duhet të riorganizohet, por nuk gjetëm gjuhën e përbashkët për mënyrën si duhet të riorganizohemi. I kërkova Kryesisë të mos marrim vendim të nxituar, çdo vendim i njëanshëm, thjesht do të zvogëlojë edhe më shumë partinë tonë e nuk do ta zmadhojë. Në kushtet që jemi ne nuk kemi luksin të përsërisim të njëjtat gabime.

Pyetja që sot duhet t’i bëjmë vetes është nëse duam një parti të kryetarit apo kryetar për partinë tonë? Ne duhet patjetër të hapim PD-në, duhet të përpiqemi mos bëjmë procese të njënashme, duhet të përfshijmë këdo. Me vlerësimet maksimale për deputetët dhe kontributin e tyre, Kolegjin e Kryetarëve e kontributin e tyre dhe të gjithë ata që kanë qëndruar. I premtova anëtarëve të Kryesisë që do të qëndroj deri në fund, derisa mund të gjejmë një zgjidhje që i përfshin të gjithë në proces.

Pas vendimit të Kryesisë për të vazhduar procesin zgjedhor, kërkova që të gjejmë një dakordësi për mënyrën si?! Në gjykimin tim, të tilla veprime të njëanshme si në të shkuarën kanë ndikuar në zvogëlimin e PD-së dhe kanë sjellë në një situatë si kjo e sotmja. Prandaj refuzova të votoj për një vendim që në mendimin tim na dëmton sot për mënyrën si po merret dhe në kushtet në të cilat po merret.