Aktualitet

Kancelari Scholz: Të hapen tani negociatat e anëtarësimit europian për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut!

Gjasat që Ukrainës t’i jepet statusi kandidat për në Bashkimin Europian kanë bërë që kancelari gjerman të kërkojë reforma në Union e lëvizje në drejtim të hapjes së negociatave me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Olaf Scholz pret reforma, që të lehtësohen pranimet e anëtarëve të rinj në BE.

Jo vetëm kandidatët duhet të përgatiten për një anëtarësim, edhe vetë Blloku duhet të përgatitet për zgjerimin. BE, të modernizojë strukturat e proceset vendimmarrëse. Jo gjithmonë do të mund të vendosen mbi parimin unanim të gjitha ato vendime që sot duhen marrë unanimisht.

Për këtë, Scholz tha se do të flasë në samitin e BE-së, në fund të muajit kur kryetarët e shteteve e të qeverive të Bashkimit Europian, të trajtojnë kërkesat për anëtarësim të Ukrainës, Moldavisë e Gjeorgjisë. Komisioni Europian rekomandoi që Ukraina dhe Moldavia të marrin statusin kandidat. Edhe kancelari u shpreh qartë gjatë qëndrimit në Kiev, me presidentin francez Emmanuel Macron e kryeministrin italian, Mario Draghi.

Scholz i bëri thirrje BE-së, që vendimin për statusin kandidat të Ukrainës, “ta marrë në frymën e unitetit”.

Eshtë e qartë që rruga për në BE nuk do të jetë e lehtë, por duhen përmbushur shumë kritere nga secili kandidat që do ta ndërmarrë këtë rrugë. Kjo prek shtetin ligjor e demokracinë, si edhe të gjitha rregulloret e tjera, që ne në Europë kemi vendosur për njëri-tjetrin.

Por, nuk harron Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar qëndrim të drejtë me rajonin e të mbajnë premtimet. Në një intervistë me DPA-në, shfaqi shpresën që nga samiti i BE-së javën e ardhshme, të dilet edhe me një impuls për vendet e Ballkanit Perëndimor, që prej dy dekadash presin për anëtarësimin.

Vendeve të Ballkanit Perëndimor, ne duhet t’u tregojmë se e kemi seriozisht. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut i plotësojnë të gjitha kriteret për hapjen e negociatave konkrete për anëtarësimin në BE, ato duhet të fillojnë tani!

Statusi i vendit kandidat mund të jepet vetëm me votë unanime. Për zbutjen e këtij parimi, prej kohësh ka shumë diskutime në BE. Problemi është se edhe për reformimin e vendimit unanim duhet të vendosin njëzëri drejtuesit e shteteve dhe qeverive në BE. Disa ditë më parë, Parlamenti Europian kërkoi reforma të zgjeruara të Konventës Europiane e të hiqet dorë nga parimi i vendimit unanim, thuajse në të gjithë fushat e politikës.