Aktualitet

“Parajsa e një mijë burimeve”, Shqipëria në artikullin e “National Geographic”! Rama: Vendi zbulohet përmes përvojave!

Prestigjiozja “National Geographic” i ka kushtuar artikull Shqipërisë, ku zbulon për turistët vlerat dhe thesaret natyrore që ofron natyra shqiptare, por dhe mikpritjen e njerëzve.

Kryeministri i vendit, Edi Rama ka shpërndarë në faqen e tij zyrtare në “Facebook” shkrimin e “National Geographic”, e cila përshkruan me detaje perlat që ofron peizazhi turistik i Shqipërisë.

“Shqipëria në artikullin e “National Geographic” zbulohet përmes përvojave të jashtëzakonshme të rafting në zemrën blu të Europës – Vjosën – për të shkuar në Beratin pasuri e UNESCO-s dhe drejt kanioneve madhështore të Osumit falë punës fantastike të “Albanian Rafting Group”, në një udhëtim me aromën e verërave nga varietetet autoktone shqiptare dhe ushqimin e shijuar pranë barinjve në peizazhet e paprekura bukolike”-shkruan Rama.

Më herët Shqipërisë i dedikoi një shkrim edhe “Up-Inspirer”.

Të gjithë duam të udhëtojmë, të zbulojmë vende të reja dhe të përjetojmë kultura të reja! Megjithatë, ne priremi drejt të njëjtave pika turistike të mbushura me njerëz, pa eksploruar kurrë xhevahiret e fshehura të botës, sipas një artikulli të botuar në blog-un francez “Up-inspirer”.

Ekzistojnë kaq shumë destinacione të panjohura, që meritojnë vëmendjen tonë! Një prej tyre është – Shqipëria – një vend me një trashëgimi të pasur historike dhe peizazhe që të lënë pa frymë.

Nuk duhet të mbështetemi vetëm në imagjinatën tonë për të kuptuar bukurinë e këtyre destinacioneve pak të njohura! Disa udhëtarë – të cilët eksploruan vendin mesdhetar – kanë ndarë përvojat e tyre të paharrueshme.

Vizitorët u mrekulluan me bukurinë e egër të maleve dhe kulturën e pasur e të ruajtur të vendit. Është pikërisht kjo përvojë unike që e bën vizitën në Shqipëri të paharrueshme! Shqipëria, jo vetëm që ofron një eksperiencë unike udhëtimi, por gjithashtu mund t’ju çojë në thesare të fshehura, aventura të reja dhe histori të pabesueshme për të zbuluar.  Mos harroni, bota është e madhe dhe nuk ka mënyrë më të mirë për ta kuptuar atë sesa duke udhëtuar rreth saj!