Aktualitet

Kardhiq-Delvinë hapet më 2 korrik, Tabaku: “Vazhdojnë të rriten shpenzimet e qeverisë për këtë rrugë!”

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot në lidhje me rritjen e shpenzimeve nga ana e qeverisë për aksin Kardhiq-Delvinë dhe rrugën e Arbrit.

A duhet  të normalizojmë korrupsionin? Në shqip, fjala e urtë popullore “I kushtoi sa frëngu pulën” do të mund të kuptohej nën shembullin e rrugës Kardhiq-Delvinë që nisi me një parashikim në buxhetin afatmesëm me vlerë 5.2 mld lekë dhe që më pas shkoi në 6.7 mld lekë. Kjo rrugë ka dhe një nga historitë më domethënëse se si paratë e taksave të shqiptarëve keqpërdoren vazhdimisht për t’u ofruar herë pas here shqiptarëve një copëz tuneli si një arritje e madhe. Rruga ka nisur që në vitin 2018 dhe është thuajse 35 km e gjatë, me logjikë duhet të kishte përfunduar me kohë, por nuk ka përfunduar.

Po ashtu, Tabaku shtoi se dhe rruga e Arbrit ka pësuar rritje të vazhdueshme të shumës me 30%.

Njësoj si shumica e rrugëve të nisura nga kjo mazhorancë, përfshirë dhe kryeveprën e dështimit rruga e Arbrit, kjo rrugë ka pësuar rritje të vazhdueshme të shumës, dështime me tendera dhe shenja të qarta abuzimi me fondet. Vetëm vitin e fundit shpenzimet për këtë rrugë janë rritur me thuajse 30% duke treguar më shumë hallin e qeverisë për të hedhur në xhepat e kompanive që ndërtojnë këtë rrugë se sa përfundimin e saj. Sivjet jemi në një vit ku shpenzimet e çdo qytetari po rriten me nga 30%-40% ndërkohë që qeveria jonë ka ndihmën më të ulët në rajon për familjet.

Punimet për ndërtimin e tunelit të Skërficës, pjesë e aksit Kardhiq-Delvinë, janë drejt përfundimit dhe nga data 2 korrik parashikohet që ky aks të jetë i hapur për qarkullimin e automjeteve. Kryeministri Rama bën të ditur se rruga e re Kardhiq-Delvinë, shkurton kohën e udhëtimit drejt Sarandës me 45 minuta.