Aktualitet Politikë

Dekretimi i ligjit për “Zonat e Mbrojtura”, reagon Jorida Tabaku: Do ta çojmë në Gjykatë Kushtetuese…

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka paralajmëruar se ligjin për Zonat e Mbrojtura, që u dekretua nga Presidenti do ta çojnë në Gjykatë Kushtetuese.

Në një reagim në rrjetet sociale, Tabaku u shpreh se dekretimi i këtij ligji është një mundësi e humbur për ta rikthyer ligjin për një debat publik dhe proces ligjor të rregullt.

Sipas saj dekretimi përbën një hap pas në procesin e përafrimit me BE, kundër Kushtetutës dhe kundër trashëgimisë sonë natyrore.

“Dekretimi Ligjit të Zonave të Mbrojtura është një mundësi e humbur për ta rikthyer ligjin për një debat publik & proces ligjor të rregullt! Ai përbën një hap pas në procesin e përafrimit me BE, kundër Kushtetutës & kundër trashëgimisë sonë natyrore. Tanimë ligji do shkojë në GJK”, shkroi Tabaku në rrjetin social “X”.

Presidenti i vendit Bajram Begaj ka dekretuar ligjin për ‘Zonat e Mbrojtura’, i cili u votua në Kuvend më 22 shkurt vetëm me votat e mazhorancës, ndërsa është kontestuar nga radhët e opozitës. Ky ligj i hap rrugë ndërtimeve ekologjike për t’i vënë në shërbim të ekonomisë.

Në argumentimin e presidentit u zhvilluan disa konsulta me grupet e interesit dhe ekspertë të Kushtetutës të cilët nuk gjejnë bazë për pretendimet si ligj me risk potencial për mbrojtjen e mjedisit dhe as të kushtetutshmërisë.

‘Për probleme që mund të konstatohen gjatë implementimit të ligjit mund të vihen në lëvizje mekanizma të tjerë ligjorë mbrojtës’, thotë presidenti.

Shqetësimeve për miratimin e ligjit pa kuorumin e deputetëve në seancë plenare, Presidenca sqaron se janë lëndë e brendshme e Kuvendit dhe mund të trajtohen vetëm prej tij. Institucioni i Presidentit të Republikës nuk identifikoi përplasje dispozitash. Zbatimi i direktivave mund të bëhet i plotë edhe në kushtet e këtij ligji.