Aktualitet

Kërcënimet për dy prokuroret, ministri Balla pas mbledhjes së KLP-së: Magjistratë punoni të qetë!

Në një mbledhje me dyer të mbyllura të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, KLP e që zgjati 90 minuta, u ra dakord që të shtohen masat, për të garantuar sigurinë e çdo gjyqtari e prokurori, si dhe të familjeve të tyre. Kjo mbledhje ku morën pjesë ministri i Brendshëm, Taulant Balla, si dhe drejtuesit e SPAK-ut, Policisë së Shtetit e të Gardës së Republikës, pason informacionet e të penduarit Artan Tafani se Laert Haxhiu donte të eliminonte prokuroret e SPAK-ut e të Lushnjës, Doloreza Musabelliu dhe Merita Selimi. Tashmë, ato e familjet përkatëse janë marrë në ruajtje.

Ndërkaq, ministri Balla deklaroi:

Jemi takuar sot, nuk është takimi i parë, jemi takuar me kreun e KLP-sw një muaj më parë, pikërisht për këtë çështje e kemi bërë dhe publik faktin që kemi diskutuar për sigurinë e prokurorëve. Dua që t’i garantoj çdo prokurori e gjyqtari në Republikën e Shqipërisë se Ministria e Brendshme, Policia dhe Garda janë në krye të detyrës për të garantuar sigurinë e çdo gjyqtari e prokurori dhe të familjes së tyre.

Nuk ndaj me ju të njëjtin vlerësim që ka mungesë kuadri ligjor. Qentë që lehin nuk të hanë dhe falë punës së prokurorisë e policisë, kemi arritur të thyejmë kasafortat e sekreteve të një bande kriminale dhe në ditët në vijim presim të thyejmë të tjera.

Për mua, sot ka rëndësi që i kam njohur drejtuesit mbi një qasje të re e do të jemi përsëri këtu. E vërteta është se kur bëhet fjalë për SPAK-un do të ketë një vëmendje të shtuar se ligji ia ka dhënë këtë vëmendje dhe të jeni të sigurt që Policia, qoftë Garda e Republikës do të rrisin masat e sigurisë për të garantuar që këto institucione të bëjnë punën e tyre.

Kjo reformë e drejtësisë do të shkaktojë dhimbje te krimi i organizuar e sikurse ka ndodhur, na duhet të mësojmë nga gabimet për t’i parandaluar. Në mbledhjen e radhës kemi rënë dakord që do të ftojmë edhe drejtuesen e SHISH-it dhe në komisionin që vlerëson nevojat për sigurinë e prokurorëve apo gjyqtarëve. Nuk do jetë më një përfaqësues, por ministri i Brendshëm dhe drejtuesit, për të vlerësuar menjëherë masat. I them çdo magjistrati: punoni te qetë e godisni krimin!