Bota

Kina “ngacmon” Tajvanin, i çon avionë luftarakë ishullit!

Sot në një periudhë prej tre orësh, përreth ishullit të Tajvanit u detektuan dhjetëra avionë luftarakë kinezë, siç raportoi Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit.

Avionët u detektuan vetëm një muaj para se ishulli vetëqeverisës, më 20 maj, të zhvillojë ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur, Lai Ching-te.

Kina pretendon se Tajvani është pjesë e saj dhe ka thënë se asnjëherë nuk do të përjashtojë mundësinë që përmes forcës të marrë nën kontroll ishullin. Në Ngushticën e Tajvanit, tensionet mes dy palëve janë rritur që nga muaji janar 2024, kur zëvendëspresidenti i atëhershëm Lai, i cili nga Pekini zyrtar cilësohet si “separatist i rrezikshëm”, u zgjodh presidenti i ri i ishullit.

Po ashtu, ekspertët kanë thënë se stërvitjet ushtarake mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Filipineve, që nisin të hënën e 22 prillit në afërsi të Detit Jugor Kinez e që Kina pretendon se është pjesë e saj, mund ta nxisin Pekinin që të shfaqë forcën përreth Tajvanit.

Ministria e Mbrojtjes në Tajpei tha se sot detektoi 21 avionë luftarakë kinezë përreth Tajvanit, përfshirë ata luftarakë të llojit J-16, avionë transportues me rreze të mesme veprimi Y-8, si dhe dronë.

Shtatëmbëdhjetë avionë [nga 21 gjithsej] kaluan vijën e mesme, hynë në pjesën tonë veriore, qendrore dhe jugperëndimore [të zonës të mbrojtjes ajrore të identifikuar], së bashku me anijet që shërbejnë për patrullime luftarake.

Njoftimin e dha Ministria e Mbrojtjes përmes një postimi në X, që më herët njihej si Twitter. Tajvani tha se forcat e tij po monitorojnë të gjitha aktivitetet përreth ishullit të ushtrisë kineze.

Pekini që nuk e njeh ekzistencën e vijës së mesme që gjendet në Ngushticën e Tajvanit, pothuajse në baza ditore dërgon avionë luftarakë dhe luftanije përreth Tajvanit. Ekspertët thanë se me këto veprime, Kina ngacmon Tajvanin, por nuk dëshiron që të përshkallëzojë veprimet deri në luftë. Por, sipas tyre, me këto Pekini po synon që të rraskapisë Forcat e Armatosura tajvaneze.

Shtatorin e vitit të kaluar, u shënua rekord i avionëve luftarakë që Kina dërgoi në Tajvan, plot 103. Para se të mbaheshin zgjedhjet presidenciale në Tajvan, Kina kishte paralajmëruar se nëse do të zgjidhej Lai në krye të ishullit vetëqeverisës, ai do të ishte shkaku i “luftës dhe rënies” së Tajvanit.