Aktualitet

Komisioni i Ekonomisë miraton pr/ligjin për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje!

Komisioni kuvendor për Ekonominë dhe Financat miratoi pr/ligjin “Për administrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje, me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim social, si dhe zbutjen e pasojave sociale te shkaktuara”. Zv.ministri i Financave dhe Ekonomisë, Endrit Yzeiri:

Drafti synon rregullimin dhe zbutjen e pasojave sociale e urbane, të shkaktuara nga ndërtimet për qëllim fitimi, në kundërshtim me ligjin për të tretët që në mirëbesim i cënohen interesat pasurore nga konfiskimi i objekteve për qëllime fitimi të ndërtuara pa leje apo në tejkalim të lejes së ndërtimit, si dhe të komunitetit në përgjithësi.

Po ashtu, theksoi se pr/ligji përcakton rregullat për miradministrimin e objekteve të konfiskuara si ndërtime pa leje për qëllim fitimi, duke synuar rritjen e vlerës me qëllim përdorimin e tyre për interes publik apo strehim.

Deputetja demokrate, Jorida Tabaku tha se kohët e fundit po diskutohet se po hartohen ligje që mbrojnë interesa private e që madje shkruhen në zyra biznesesh. Zv.sekretarja e Përgjithshme e Kryeministrisë, Elira Kokona hodhi poshtë akuzat e Tabakut.

Në këtë pr/ligj kanë punuar persona të 10 institucioneve shtetërore. Ky projektligj është hartuar në godinën e ministrisë së Financave, Drejtësisë, MIE-s, në Kryeministri, në godina publike. Janë njerëz që kanë harxhuar kohë dhe dije dhe aftësitë e tyre në dispozicion të funksionit të tyre publik.

Kokona bëri të ditur se ligji synon të plotësojë një vakuum ligjor për ato objekte që konfiskohen, pasi janë ndërtuar në tejkalim të lejes.

Ky ligj i referohet një hallke të zhvillimit të territorit, pasi janë konfiskuar nga autoritet objekte të përfunduara apo jo. Ne të gjithë jemi dëshmitarë të një serie të caktuar vitesh kur godina të tëra mbinin si kërpudha dhe mbeteshin si të tilla pa zhvillim. Për këtë arsye, godinat që janë të pamundura të prishen, sepse opsioni i parë është prishja dhe kthimi në gjendjen e mëparshme, duhet të përputhen edhe rregullohen në funksionin e tyre e pamjen, në mënyrë që peizazhi të ketë një qëllim të caktuar brenda planifikimit të territorit.