Rajoni

Kosovë, pas triumfit të muajit shkurt, Vetëvendosje zhgënjen në nivel vendor!

Zgjedhjet vendore në Kosovë që përfunduan dje me balotazhin në 21 komuna, u mbyllën me ndëshkimin e Vetëvendosjes. Partia e kryeministrit Albin Kurti, e njëjta që jo më larg se më 14 shkurt të këtij viti fitoi votimet parlamentare me mbi 50% të votave, në nivel lokal zhgënjeu.

Kësaj here fitoi vetëm në Gjilan, Kamenicë, Shtime e Podujevë. Nuk ka dyshime se fituese janë partitë opozitare: Partia Demokratike e Kosovës në 9 komuna dhe Lidhja Demokratike e Kosovës në 7, përfshirë Prishtinën ku Përparim Rama mundi rivalin e Vetëvendosjes Arben Vitia, në balotazhin e një dite më parë. Rama është arkitekt, ka qenë refugjat në Britaninë e Madhe e ka marrë vëmendjen e mediave botërore, përfshirë CNN-it, për të cilin është rrëfyer në një intervistë:

Emri im është Përparim Rama dhe unë kërkova azil në Britaninë e Madhe në vitin 1992. Jeta në Kosovë nuk ishte aspak e lehtë. Të gjithë të rinjtë e asaj kohe merreshin me dhunë nga forcat policore dhe ushtarake serbe për t’u dërguar në luftën me kroatët apo boshnjakët, ndaj e pashë të udhës që për mua ishte më e lehtë të vija në Britani e të kërkoja azil, sesa të përballesha me situatën atje.

Për analistët, rezultatet e fundit zgjedhore janë reflektim i qytetarëve përballë partive politike në përgjithësi, si edhe reflektim i subjekteve opozitare, që lexuan mesazhin e qytetarëve, në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit, kur vota e tyre i dërgoi në opozitë.

Deri dje në orën 19:00 që përkon me orarin e mbylljes së vendvotimeve, në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale në Kosovë votuan rreth 38 për qind e zgjedhësve. Pas shpalljes së rezultateve paraprake, këto ditë pritet edhe numërimi i votave me kusht e gjithashtu i atyre që kanë ardhur nga jashtë vendit. Ndërkaq, kujtojmë se raundi i parë u zhvillua më 17 tetor dhe qytetarët votuan për asambletë komunale e kryetarët e komunave. Në këtë raund, u zgjodhën 17 kryekomunarë. Politika në Shqipëri, uroi të zgjedhurit.