Rajoni

Kosovë, sulm me granatë ndaj zyrave të Elektrokosmet-it në veri!

Në Kosovë, një granatë dore e tipit M52 u hodh në mbrëmje vonë, rreth orës 22:40 minuta pranë zyrave të kompanisë në pronësi të shtetit serb, Elektrokosmet, i njohur dhe si operator i sistemit të transmetimit të energjisë elektrike. Ngjarja ndodhi në veriun e Mitrovicës me shumicë serbe.

Raportohet se si pasojë e shpërthimit u dëmtuan një transformator dhe disa automjete, të parkuara në zonën ku u hodh granata. Nuk pati të lënduar e policia nisi hetimet. Prokurori i Shtetit në Kosovë urdhëroi vazhdimin e hetimeve sot në mëngjes, për tre vepra penale: shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, përdorimi i armëve apo mjeteve të rrezikshme, shkatërrimi ose dëmtimi i pronës dhe mbajtje e paautorizuar e armëve luftarake.

Tashmë, qytetarët në katër komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe dhe që nuk paguajnë energjinë elektrike që nga viti 1999, detyrohen të bëjnë pagesë për faturat. Do të jetë Zyra e Rregullatorit për Energjinë në Kosovë, ZRRE, që pritet të pajisë me licencë të posaçme për furnizimin me energji e në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullatore të Kosovës, kompaninë Elektrosever. Kjo e fundit është me pronësi serbe, por e themeluar në Kosovë e sipas ligjeve të shtetit. Për normalizimin e plotë të faturimit të energjisë në veriun me shumicë serbe janë parashikuar nga 90 deri në 100 ditë.

Pak ditë më parë, Kosova dhe Serbia u dakordësuan lidhur me zbatimin e marrëveshjes për energjinë, të nënshkruar më 2013-ën, në Bruksel, por që prej 9 vitesh nuk zbatohej nga palët. Bashkimi Europian e përshëndeti marrëveshjen për energjinë ndërmjet Kosovës e Serbisë, duke e cilësuar “hap drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit”.

Po ashtu, BE-ja inkurajon të dyja palët që të vijojnë në këtë frymë e të bëjnë përparime të mëtejshme, për të gjitha çështjet e tjera të pazgjidhura. I dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Mirosllav Lajçak, tha se “ky është një hap i madh përpara”.