Aktualitet Politikë

Kreu i SPAK-ut raporton në Kuvend, opozita e pyet dhe për aferën McGonigal!

Në Kuvend ku paraqiti raportin vjetor të SPAK-ut, kryeprokurori i Posaçëm, Altin Dumani veçoi si shqetësues numrin e lartë të procedimeve të mbartura. Ai tha se deri në fund të vitit, prokurorët duhet të përqendrojnë energjitë për të përmbyllur dosjet e pashqyrtuara. Më tej, vuri në dukje se mungesa e infrastrukturës është një tjetër problem që pritet të zgjidhet me mjediset e reja të marra me qira e që do t’i vihen në funksion SPAK-ut.

Kemi vuajtur mungesën e infrastrukturës. Kemi punuar 3-4 prokurorë në një zyrë, edhe administrata. Por, kjo problematikë tashmë mund të konsiderohet e zgjidhur, pasi na është vënë në funksion një tjetër godinë.

Dumani foli për mungesën e ekstradimeve të personave në kërkim dhe që janë në Emiratet e Bashkuara Arabe, duke shfrytëzuar faktin se mes dy vendeve nuk ka marrëveshje ekstradimi.

Mungesa e ekstradimit të eksponentëve të krimit, kryesisht nga Emiratet e Bashkuara Arabe ka vënë në vështirësi. Procedurat e ekstradimit vazhdojnë, por s’kemi asnjë të ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndër të tjera, kreu i SPAK-ut kërkoi paga më të larta për ekspertët e provave digjitale, pasi ekziston mundësia që të largohen nga trajtimi jo i duhur financiar.

Statusi financiar jo i kënaqshëm i ekspertëve të provave digjitale. Ne kemi një laborator, por trajtimi i tyre financiar lë për të dëshiruar. Kemi frikë se mund të na largohen.

Në sallën e Kuvendit, deputetja demokrate, Albana Vokshi e pyeti për atë që po ndodh me kallëzimet për krimet zgjedhore të vitit 2021 dhe çështjen e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, McGonigal.

Albana Vokshi: Çfarë po bëni me kallëzimet për krimet elektorale të vitit 2021? Nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Pse nuk është hapur asnjë hetim për aferën McGonigal?

Altin Dumani: Pjesa më e madhe e tyre janë nën hetim. Nuk mund të jap të dhëna e të raportoj për çështje konkrete. Por, përsa kohë janë nën hetim, ndaj me ju të njëjtin shqetësim lidhur me disa çështje që janë të mbartura e që kanë kohë nën hetim dhe duhet të disponohen nga prokurorët me një vendimmarrje.  Unë si drejtues prokurorie kam të drejtë t’i krijoj kushtet dhe infrastrukturën e nevojshme. Që nga dita e parë në këtë detyrë jam përpjekur ta bëj dhe shpresoj që në të ardhmen të kemi përgjigje me vendimmarrje.