Bota

Kryeministri spanjoll: Brenda muajit korrik do të njohim pavarësinë e shtetit palestinez!

Prej kohësh, Spanja e ka bërë të qartë se do të njohë pavarësinë e palestinezëve. Së fundmi, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez, u tha gazetarëve gjatë një turneu në Lindjen e mesme se do ta njohë shtetësinë palestineze deri në korrik të këtij viti.

Duke theksuar debatet e vazhdueshme që po mbahen në Kombet e Bashkuara lidhur me luftën në Rripin e Gazës, Sanchez tha se pret që së shpejti edhe vende të tjera brenda Bashkimit Europian të marrin të njëjtin pozicion.

Në një takim të Këshillit Evropian më 22 mars, Sanchez tha se kishte rënë dakord me liderët e Irlandës, Maltës dhe Sllovenisë për të “marrë hapat e parë” drejt njohjes së shtetësisë së shpallur nga palestinezët në Bregun Perëndimor të pushtuar nga Izraeli dhe në Rripin e Gazës të rrethuar.

Sakaq një sulm izraelit ka shkatërruar ndërtesën pranë ambasadës iraniane në kryeqytetin e Sirisë, Damask, duke shkaktuar deri tani 7 të vdekur e disa të plagosur, thonë autoritetet siriane.

Në mesin e të vdekurve ishin gjeneral brigade Mohammad Reza Zahedi, gjeneral brigade Mohammad Hadi Haji Rahimi, si dhe 5 të oficerë që po i shoqëronin.

Fotot dhe videot e publikuara tregojnë tym dhe pluhur që ngrihet nga ndërtesa shumëkatëshe, e cila ishte pranë ambasadës iraniane në një autostradë në distriktin perëndimor Mezzeh. Ambasadori iranian në Siri, Hossein Akbari, tha se “përgjigja e Teheranit do të jetë e ashpër”