Bota

Protesta të reja për Gazën në universitetet amerikane/Plumba gome e përleshje!

Në kampusin e Universitetit të Kalifornisë, në Los Anxhelos (UCLA) nga mbrëmë u dislokuan policë që urdhëruan shpërndarjen e mbi 1 mijë personave të mbledhur për të mbështetur një protestë studentore propalestineze. Përmes altoparlantëve, agjentët amerikanë paralajmëruan se kushdo që refuzon të largohet mund të përballet me arrestim.

Disa nga protestuesit u dëgjuan duke thërritur “nuk largohemi”, ndërsa disa të tjerë u panë me helmeta e shami, për t’u mbrojtur nga përdorimi i sprajit të piperit apo gazit lotsjellës.

Disa studentë që mbanin pankarta me mesazhe në mbështetje të Izraelit dhe popullit hebre protestuan pranë vendit ku mbaheshin manifestimet propalestineze. Ata sulmuan protestuesit propalestinezë dhe përleshja zgjati për disa orë para se policia të ndërhynte. Nuk pati të arrestuar, por të paktën 15 vetë u lënduan. Mosndërhyrja e shpejtë e policisë nxiti kritika nga udhëheqësit politikë, si edhe nga studentët myslimanë e grupe avokatore. Përleshje pati edhe në Teksas ndërsa në Arizonë, policia përdori plumba gome kundër studentëve protestues.

Në Nju Hempshër, policia arrestoi protestues dhe largoi tenda në kolegjin e Dartmuthit. Policët në Oregon shkuan në kampusin e Universitetit Shtetëror të Portlandit, ku tentuan të shpërndanin protestuesit që kanë zaptuar librarinë e universitetit që nga e hëna.

Ndërkaq, skenat kaotike në UCLA, ndodhën disa orë pasi policia në Nju Jork hyri të martën në mbrëmje në ndërtesën e Universitetit të Kolumbias, ku po protestojnë personat që janë kundër luftës në Gaza. Sipas të dhënave të mbledhura nga agjencia Associated Press, që kur kanë nisur trazirat në kampuse, më shumë se 1.600 persona janë arrestuar në 30 universitete amerikane.

Janë përhapur në kampuse të ndryshme në mbarë Shtetet e Bashkuara, grupet e protestuesve që kanë ngritur kampe me tenda dhe po iu bëjnë thirrje universiteteve të ndalojnë së bëri biznes me Izraelin apo kompanitë që sipas tyre mbështesin luftën në Gaza,

Protestat mbarëkombëtare në kampuse nisën në Universitetin e Kolumbias më 17 prill, kur u protestua kundër ofensivës së Izraelit në Gaza. Izraeli dhe mbështetësit e tij, protestat nëpër universitete i quajnë “antisemitike”, por kritikët e tij thonë se ky shtet përdor këtë pretendim për të kundërshtuar.

Edhe pse disa protestues janë regjistruar duke bërë deklarata antisemitike apo kërcënime të dhunshme, organizatorët e protestave, disa prej të cilëve hebrenj, shprehen se lëvizja protestuese është paqësore e synon mbrojtjen e të drejtave të palestinezëve, si dhe po protestohet kundër luftës.