Aktualitet

Kush e vrau Pëllumb Metën? Gruaja dhe fëmijët testohen në poligon!

Nga grupi hetimor dhe ekspertë të policisë Durrës, vijon analizimi i provave për të zbuluar se kush ishte ekzekutori i Pëllumb Metës, në Shënavlash. Në lidhje me krimin tronditës të muajit të kaluar, gjykata la në burg tre fëmijët e viktimës. Dy të dyshuarit kryesorë Hygerta e Hysen Meta i qëndrojnë deklarimeve të dhëna në seancën e masës së sigurisë se vrasjen e kreu vajza 19-vjeçare.

Hygerta Meta u rikthye në vendngjarje ku u rindërtua skema e vrasjes duke treguar pozicionin ku ishte shtrirë i ati, ku dhe si e qëlloi, trajektoret, zhvendosjen e trupit e varrosjen. Tre fëmijët dhe bashkëshortja e 49-vjeçarit të vrarë, javën e kaluar u çuan në një poligon ku u testuan aftësitë e tyre për të kryer qitje me pistoletë. Rezultoi se Hygerta ishte në gjendje të mbushte armën e të kryente qitje ndërsa Hysen Meta që grupi hetimor beson se është ekzekutori refuzoi të qëllonte, duke thënë se nuk di të mbajë armë.

Hysen Meta nuk ka rindërtuar asnjë skemë pasi i qëndron versionit se kur ndodhi vrasja nuk ishte ne shtëpi. Eksperimentit policor iu nënshtruan edhe bashkëshortja e viktimës, Blerina Meta, si dhe djali i vogël i familjes, Amarildo. Ata thënë se kurrë më parë nuk kanë mbajtur armë në dorë. Të dhënat e këtij eksperimenti po krahasohen me ato të përpiluara nga ekspertët gjate këqyrjes së vendit të krimit.

Por, në pistoletën e krimit janë gjetur shenjat e gishtave të djalit të vogël, Amarildos e për të pritet të ngrihet akuza e vrasjes. Ai pranoi se armën e zjarrit e ka prekur pas vrasjes.  Ndërkaq, Blerina u shpreh sërish se nuk ka informacione:

Nuk di gjë, e dinë fëmijët. Nuk di gjë për vrasjen. Nuk kam punë me armën!