Bota

Lufta ruse në Ukrainë, Zelensky i lutet Perëndimit për ndihmë!

Qindra mijëra ukrainas kanë mbetur pa energji elektrike. Kjo si pasojë e një vale të re sulmesh të mëdha ajrore që Rusia kreu ndaj infrastrukturës së Ukrainës, duke nxitur presidentin Zelensky, t’i lutet përsëri Perëndimit që t’i japë Kievit sistemet kundërajrore për të cilët ka aq shumë nevojë.  Një paketë me ndihmë amerikane në vlerën 60 miliardë dollarë është bllokuar në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan prej muajsh.

Infrastruktura energjetike ishte shënjestra kryesore e sulmeve raketore dhe me dronë nga Rusia në katër rajone ukrainase mëngjesin e sotëm. Kjo u theksua nga ministri i Energjisë i Ukrainës, Herman Halushchenko, i cili në një postim në Facebook shkruan:

Sistemet e transmetimit dhe objektet e gjeneratorëve në rajonet Harkiv, Zaporizhja, Lviv e Kiev u sulmuan. Punonjësit e energjisë po punojnë për t’i eliminuar pasojat.

Harkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës që ndodhet rreth 30 kilometra larg kufirit rus, përsëri ishte objektiv kryesor i sulmeve ruse mëngjesin e sotëm. Zyrtarët ukrainas raportuan për 10 sulme ajrore ruse në Harkiv.

“Si pasojë e këtyre sulmeve, më shumë se 200 mijë qytetarë mbetën pa energji në Harkiv”, tha Oleksiy Kuleba, zëdhënësi i Presidencës ukrainase.

Deri tani, nuk ka viktima. Informatat janë duke u përditësuar. Ne jemi duke rregulluar shkatërrimin në rrjetin energjetik.

Kryetari i Bashkisë së Harkivit, Ihor Terekhov, tha se sulmet shkaktuan telashe në linjat energjetike e në transportin publik. Sulmet ruse në Harkiv janë rritur dukshëm javët e fundit. Terekhov tha se raketave S-300 u nevojiten vetëm 40 sekonda për të shkuar deri në Harkiv nëse hidhen nga rajoni rus Belgorod.

Ndërkohë, Zelensky tha se Rusia kreu sulme me shumë dronë dhe raketa, duke gjunjëzuar sistemin kundërajror të Ukrainës.

Disa nga raketat dhe dronët Shahed u rrëzuan. Fatkeqësisht, vetëm një pjesë e tyre, bëri të ditur Zelensky në Telegram. Po ashtu, presidenti ukrainas iu kërkoi aleatëve të Ukrainës të veprojnë më shpejt dhe t’i japin Ukrainës mjetet e duhura për të mbrojtur veten.

Kemi nevojë për mbrojtje ajrore dhe mbrojtje të tjera, jo për shpërfillje e bisedime të gjata. Nëse Rusia lejohet të vazhdojë, raketat ruse dhe Shahed nuk do të sulmojnë vetëm Ukrainën, por edhe përkushtimin e partnerëve të saj. Kjo do të jetë licencë globale për terror.