Aktualitet Politikë

Kuvendi rrëzon kërkesat për interpelancë me kryeministrin Ramën e mocion me debat për inceneratorët!

Mes debateve e tensioneve që po karakterizojnë seancën e sotme plenare, e fundit para pushimeve të verës për deputetët, Kuvendi rrëzoi kërkesat e opozitës për të futur në rendin e ditës mocionin me debat dhe interpelancën me kryeministrin Edi Rama për aferën e inceneratorëve. Kjo pas kërkesës së SPAK-ut për arrestimin e ish-kryeministrit Arben Ahmetaj, i cili është larguar nga Shqipëria. Sipas maxhorancës, kërkesa e opozitës nuk është urgjente. Toni Gogu, nënkryetar i grupit parlamentar të PS-së.

Mund të keni urgjencë ju, por jo ky Kuvend! Ju mund të keni urgjencë prej datës 29 ose nuk e di, por jo ne!

Nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj:

Nuk pranohet kërkesa për mocion me debat dhe interpelanca!

Kjo bëri që për të disatën herë, deputetët e opozitës të linin vendet ku ulen dhe iu drejtuan foltores, duke e bllokuar. Deputeti demokrat, Oerd Bylykbashi tha se po zhbëhet Kushtetuta, ndërsa akuzoi maxhorancën se po e kthen Kuvendin në “fabrikë ligjesh siç i do kryeministri”.

Ky Kuvend zhbën Kushtetutën, zhbën të drejtat e qytetarëve. Keni ndryshuar rregullat në mënyrë brutale, që të bëni çfarë të doni ju. E keni kthyer Kuvendin në fabrikë ligjesh, siç do kryeministri. Nuk merrni parasysh të drejtën e studentëve. Ka gjë më urgjente se interpelanca dhe mocioni me debat?

Tani është kaluar në pjesën e diskutimeve mbi veprimtarinë e disa institucioneve për vitin e kaluar.  Po ashtu, në rendin e ditës së seancës plenare pritet të votohet dhe për dy projektligje shumë të diskutuara, lidhur me përdorimin e kanabisit për qëllime mjekësore e për studimet në Mjekësi.

Prej mëngjesit, studentët e Mjekësisë kërkojnë të hyjnë në sallën e Kuvendit e të flasin. Ata janë në protestë e kërcënojnë me bojkot të vitit akademik nëse votohet ligji që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri.

Po ashtu, me kërkesë të maxhorancës, sot në rendin e ditës u shtua dhe votimi mbi projektligjin për Akademinë e Shkencave.

Kryeministri Rama nuk është në Kuvend. Sot inspektoi akset e reja Orikum-Dukat e Palasë-Dhërmi, të hapura përkohësisht për të lehtësuar qarkullimin e automjeteve në këtë periudhë fluksesh të larta të lëvizjes. Për të parë nga afër këto kantiere që përfundojnë në qershor të vitit të ardhshëm, Rama shoqërohej nga zv.kryeministrja Belinda Balluku, njëherazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë.