Aktualitet Bota

Lamtumirë Milan Kundera, shkrimtari i njohur çek ishte 94-vjeç!

Ndahet nga jeta shkrimtari i njohur çek, Milan Kundera. Ishte 94-vjeç. Mbi të gjitha, i njohur me romanin “Lehtësia e padurueshme e qenies” e që në vitin 1988 u bë film, Kundera numëron vlerësime të shumta në karrierë.  Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës, përfshirë shqipen.

Konsiderohet si një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të shekullit të njëzetë. Veprat e tij janë përmbledhur në dy vëllime në “Bibliothèque de la Pléiade”, një koleksion prestigjioz i Gallimard e ku autorët që ende jetojnë, rrallë pranohen.

I lindur më 1 prill 1929 në Brno, në atë Çekosllovakia dhe tani Republika Çeke, Milan Kundera studioi muzikë, kinema e letërsi në Pragë. Si adoleshent filloi të botojë poezitë e para, falë ndihmës së kushëririt të tij Ludvik, gjithashtu një figurë shumëplanëshe e kulturës çeke.

Në vitin 1948, kur ende ishte student, u bashkua me Partinë Komuniste. Por, dy vjet më vonë u përjashtua për shkak të kritikave ndaj politikës së tij kulturore. Në vitin 1956 u ripranua dhe u bë pikë referimi në diskutimet e atyre viteve.

Gjatë “Pranverës së Pragës” të vitit 1968, doli hapur në favor të reformave të nisura nga sekretari i atëhershëm i Partisë Komuniste të Çekosllovakisë, Alexander Dubček. Për këtë arsye, regjimi komunist e detyroi të linte punën si mësues në FAMU, në shkollën e tij të vjetër të filmit.

Në vitin 1975 emigroi në Francë, ku dha mësim në universitetet e Rennes dhe Parisit. Në kryeqytetin francez kaloi pjesën tjetër të jetës, në shoqërinë e gruas së tij të dashur Vera Hrabankova. Dy vjet më vonë, iu hoq shtetësia çekosllovake. Por, falë ndërhyrjes në kohë të presidentit të atëhershëm francez, François Mitterrand, menjëherë mori atë franceze.

Pas përmbledhjeve të para me poezi, Kundera u bë i njohur për publikun e gjerë duke filluar nga viti 1963, falë tregimeve të “Dashurive qesharake”. Në vitin 1967 u botua romani i tij i parë, “Shakaja”. Libri ndikohet fuqishëm nga ndryshimet që më vonë do ta çonin Çekosllovakinë në “Pranverën e Pragës”.

Edhe romani që e bëri një nga shkrimtarët më të dashur të shekullit të njëzetë, trajton të njëjtën temë. “Lehtësia e padurueshme e qenies”, vepra e botuar në vitin 1984, shpejt u bë bestseller, aq sa u përshtat edhe për kinemanë.