Aktualitet

Sot ditëlindja e gjeniut të letrave shqipe/Ismail Kadare 86-vjeç!

Më 28 janar të vitit 1936 lindi shkrimtari i madh, Ismail Kadare, i cili sot feston 86-vjetorin e lindjes. Vokacioni i tij për letërsinë zuri fill në moshë të hershme, pasi i la mbresë të pashlyeshme leximi i tragjedisë “Makbethi” i Shekspirit. Në qytetin e lindjes, Gjirokastër do të qëndronte deri në përfundim të arsimit të mesëm, kur përgatiti për botim ciklin e parë me poezi “Frymëzimet djaloshare” (1954). Më tej u vendos në Tiranë, ku kreu studimet e larta në degën e Gjuhë-Letërsisë dhe u diplomua për “Mësuesi”.

Në vitet 1958-1960, thelloi studimet në domenin e letërsisë në Institutin “Maksim Gorki” në Moskë. Por më 1960-ën u detyrua t’i braktiste  për shkak të ndërprerjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Bashkimit Sovjetik. Ndërsa u kthye në atdhe, nisi angazhimin në gazetari. Në vitin 1963, pas një retushimi të vazhdueshëm iu botua romani “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, me jehonë përtej kufijve të vendit. Tematika e natyrës liridashëse të shqiptarëve, gjithashtu do të ishte kryefjalë e romanit “Kështjella”, botuar më 1970-ën. Në këtë linjë, autori u frymëzua edhe për “Krushqit janë të ngrirë”, ku flitet për demonstratat e vitit 1981 të shqiptarëve të Kosovës.

Pena e gjeniut të letrave, nuk do t’i kursente kritikat ndaj traditave prapanike të shoqërisë, si te romani “Kronikë në gur” (1970). Në vargun e publikimeve të pandërpera, romani alegorik “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” (1981), veçohet si më i lakuari në tërësinë e veprës së Kadaresë. Në vjeshtën e vitit 1990, u largua drejt Francës dhe u rikthye në atdhe pas zhvillimeve të para demokratike.

Që prej vitit 1996, shkrimtari shqiptar është anëtar i asociuar (përjetësisht) i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës. Po ashtu është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare, mes tyre Man Booker Prize e Princi i Asturias. Kadare është përzgjedhur në radhët e shkrimtarëve botërisht të njohur: Gabriel Garcia Marquez, Günter Grass e Milan Kundera. Deri më tani, veprat e tij janë përkthyer në rreth 45 gjuhë të botës.

Ismail Kadare është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit”, si edhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”.

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave publikoi kopjen e dorëshkrimit të romanit të tij të parë, “Qyteti pa reklama” (u shkrua që në vitin 1959, por mbeti në dorëshkrim dhe u botua pas viteve ’90), dhuruar DPA-së nga autori më 24 maj 2002.