Bota

Liz Truss dhe Rishi Sunak vijojnë betejën, ngushtohet gara për kryesimin e Partisë Konservatore!

Dy kandidatët që konkurrojnë për t’u bërë lider i Partisë Konservatore në Mbretërinë e Bashkuar janë ende duke u përpjekur të fitojnë mbështetjen e anëtarëve të partisë.

Liz Truss dhe Rishi Sunak deri më tani kanë shpjeguar se cilat janë qëndrimet e tyre mbi ekonominë, taksat, Shërbimin Shëndetësor Kombëtar dhe këtë fundjavë ata debatuan mbi  arsimin.

Këtë të hënë në shtëpitë e anëtarëve të partisë mbërrijnë fletët e votimit. Ata duhet të zgjedhin mes dy garuesve të mbetur, i zgjedhuri bashkë me kryesimin e partisë merr edhe detyrën e Kryeministrit duke pasuar Boris Johnson.

160 mijë anëtarët e konservatorëve kanë kohë deri më 2 shtator për të dorëzuar votën e tyre.

Ndërkohë, kryeministri në largim i Mbretërisë së Bashkuar Boris Johnson ka qenë i zënë me një tjetër agjendë.

Ai dhe gruaja e tij Carrie zhvilluan  një festë martesore në pronën private të një donatori të madh të partisë konservatore në Anglinë jugperëndimore.

Çifti u martua në një ceremoni private në Katedralen Westminster vitin e kaluar por për shkak të pandemisë nuk mundën të realizon një festë më të madhe.