Aktualitet Live From Tirana

Lufta në Ukrainë, Gëzim Tushi: “Jeta në këtë planet varet nga disa butona…”!

Sot i ftuar në emisionin “Live from Tirana” ishte profesori i nderuar Gëzim Tushi për të na dhënë një pikëpamje sociologjike në lidhje më atë çfarë po ndodh sot në Ukrainë. Si e sheh Tushi këtë luftë që po ndodh sot në shekullin që po jetojmë?

Luftërat janë fatkeqësi për njerëzit dhe sjellin dëme të pariparueshme. Është primitive, e pakonceptueshme. E konsideroj këtë situatë të paparashikuar, jo më larg se 2 or është arena e luftës, në kohën e sotme ku lufta është me butona nuk jemi shumë larg. Shoqëria shqiptare nuk është në arenën e luftës por efektet e saj i ka dhënë, të drejtpërdrejta dhe të tërthorta. Të drejtpërdrejta janë rritja e çmimit të bukës, të miellit, të orizit, të naftës, të perimeve. Ndërkaq efektet e tërthorta janë se në horizont është ngritur një shqetësim që ka të bëjë me frikën, pasigurinë që ka kapluar njerëzit.

Brezat më të papërgatitur janë të rinjtë, si mendoni si do ta gjejnë veten në këtë konflikt?

Është e domosdoshme ta përjetojmë situatën. Ne jemi pjesë e një rajoni i cili ka qenë fuçi baruti. Ne duhet ta kuptojmë që jemi në një rajon delikat, nuk mund të kemi sigurinë e budallait. Situatat që ne kemi, problemet që ka Kosova në raport me synimet e Serbisë, kjo do të thotë që na kërkon të jemi të kujdesshëm. Unë mendoj që nuk duhet të përhapim panik. Kemi nevojë që të rinjve tanë t’i flasim për këto situata, t’i përgatisim që çdo gjë mund të ndodh, kjo është shoqëri e pabesive, asgjë në këtë jetë nuk është e sigurt. Kemi arritur në pragun që mund të jemi përballë një luftë bërthamore. Jeta në këtë planet varet nga disa butona.

Idetë se marrëdhëniet njerëzore do të bëheshin më të buta, më humaniste nuk po vërtetohet. Putin mund të ketë arsyet e veta që bën luftë por në kohët e sotme gjërat zgjidhen në tryeza. Niveli i tretë është lufta e butonave dhe do të jetë apokalipsi. Zgjidhja me luftë është e patolerueshme për kohën tonë. Erdhëm në një situatë që menduam se bota është e sigurt, me problemet dhe varfëritë e veta sigurisht, me luftën e brendshme të njerëzimit por menduam se gjërat do të zgjidheshin me mjete humane, por ja kur u rikthyem pas, njerëzimi është vendosur përballë një shqetësimi njerëzor. Sapo kaluam një epidemi të madhe, një pandemi planetare që e vuri botën përballë shqetësimeve serioze dhe menduam se tani u kapërcua pandemia, jemi në shekulliin e madh të pasigurive. Lufta mund të mos përshkallëzohet, besoj se njerëzimi do të jetë kaq racional sa për të mos djegur veten.