Dilema Sociale

Mamaqi ju përgjigjet mosbesuesve të trajnimit të tij

Ermal Mamaqi, i njohur si një ndër aktorët e humorit më të famshëm në Shqipëri, por tashmë është kthyer edhe në një motivues suksesi ishte sot në emisionin “Dilema Sociale” me Eno Popin.

I ftuar në Top Albania Radio, Mamaqi diskutoi rreth temës së shumëpërfolur për “paketën” e tij se si të bëhemi të suksesshëm. Ai dha një përgjigje për të gjitha reagimet e mosbesuesve për trajnimin e tij.

Unë i justifikoj të gjitha gjerat që kanë thënë! Them që kanë të drejtë, mendoj që kanë shumë të drejtë edhe unë kështu mund të mendoja…. Për ta sqaruar edhe njëherë për ata që nuk e dinë se çfarë ka ndodhur është se në rrjetet sociale nga JOQ u publikua një poster, një foto, e cila tregonte se unë kam një paketë trajnimesh që kushtojnë 24 mijë euro. Unë kam bërë një sqarim… thashë që unë nuk e kam postuar asnjëherë këtë gjë, nuk ka dalë, nuk është zyrtare, nuk është e vërtetë dhe po jua them edhe njëherë që nuk është e vërtetë! Ajo që unë shes është një trajnim, i cili është pjesë e një platforme dhe aty brenda ka trajnime për zhvillimin personal dhe profesional nga trajnerë të ndryshëm, një nga ata jam edhe unë që jap lëndën e motivimit.

Por për sa i përket arsyes pse njerëzit nuk e besuan, Ermal Mamaqi ka një shpjegim duke e ndërthurur edhe me histori, të cilat përçojnë një mesazh te personat që e kanë sulmuar në rrjetet sociale.

 

Atëherë, nuk ka rëndësi çfarë thua, por ka rëndësi si e thua… Ajo që u servir ishte një trajnim 24 mijë euro edhe kjo është si t’i thuash tjetrit që ka ardhur të hajë groshë që; shiko se kam një haviar atje që bën 100 mijë lekë pjata! Ai nuk është se nuk të beson… ai fillon e përplas tavolinën, çdo gjë… edhe thotë si ka mundësi që po e bën ti këtë! Tani, ajo që unë po flas, e para është se unë nuk e shes këtë trajnim që është 24 mijë euro dhe e dyta është se unë besoj që vlera e këtyre trajnimeve është shumë më shumë se kaq. Unë për shembull kam paguar 10 mijë euro për një trajnim pesë ditor që kam shkuar dhe e kam berë. Do të tregoj një rast shumë të thjesht; Shkon dikush në një dyqan që kishte një orë nga këto të shtrenjtat dhe i thotë sa bën kjo ora. Zotëria që shiste i thotë 24 mijë euro dhe blerësi habitet “kjo është shumë e shtrenjtë”, ndërsa shitësi i qetë i thotë; Ej djalosh, shikoje pak mirë situatën, nuk është se ora është e shtrenjtë, por problemi është se ti nuk e përballon dot, ky çmim është në rregull, por nuk është për ty!

Arsyeja pse reaguan ashtu është sepse u përballën me një gjë të re, që nuk e kanë idenë se çfarë është dhe si funksionon dhe e morën në mënyrën më të keqe, me një çmim shumë të madh dhe jo të vërtetë, në një formë jozyrtare që nuk vinte nga unë.

Gjithashtu Ermali shton se nuk e shqetësojnë njerëzit që kanë një faqe Facebook-u dhe bëjnë televizionin aty, ndërsa janë thjesht ‘barinj’ poshtë një peme që s’kanë si të shpenzojnë internetin dhe shprehen në raste të tilla.