Rajoni

Maqedonia e Veriut shënon 32-vjetorin e pavarësisë, kritika për zhvillimet e fundit!

Ndërsa sot Maqedonia e Veriut shënon 32-vjetorin e pavarësisë nga Jugosllavia, Shtetet e Bashkuara thonë se Shkupi ka bërë hapa të mëdhenj për të siguruar prosperitet për qytetarët. Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut i parapriu një referendum që u organizua më 8 shtator 1991. Mbi 95% e votuesve u deklaruan për shtet të pavarur e sovran.

Referendumi u bojkotua nga popullata shqiptare që kërkonte të ishte e barabartë në shtetin e ri. Refuzimi i kërkesave të shqiptarëve çoi në një konflikt të armatosur në vitin 2001 e që përfundoi me arritjen e Marrëveshjes së Ohrit. Më pas, Maqedonia e Veriut ndryshoi Kushtetutën e saj për të respektuar të drejtat e shqiptarëve.

Në mesazhin e tij, presidenti maqedonas, Stevo Pendarovski u përqendrua në zhvillimet e fundit, te aferat dhe abuzimet me pushtetin.

Për abuzimet që po bëhen, çmimin po e paguajnë studentët në arsim, të sëmurët në shëndetësi, të varfrit e të rinjtë. Gjithnjë e më shumë, solidariteti dhe ndjeshmëria kanë filluar t’i lënë vendin egoizmit dhe apatisë e ky është një mjedis në të cilin njerëzit nuk duan të jetojnë. Eshtë koha të konfirmojmë se jemi të aftë në praktikë dhe jo vetëm me fjalë që të përballojmë problemet serioze me të cilat po përballemi në tunelin e gjatë të tranzicionit.

Kritika ka edhe lideri i opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski:

Vitet e fundit tragjeditë janë bërë përditshmëria jonë. Mungojnë ilaçet, mungojnë tekstet, mungon drejtësia, por mbi të gjitha mungojnë qytetarët që largohen nga vendlindja për shkak të dështimeve.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski:

Me vendime të arsyeshme dhe të guximshme, vendi ynë e arriti pavarësinë në mënyrë paqësore dhe në të njëjtën kohë ruan unitetin e tij. U bëmë anëtarë të Kombeve të Bashkuara. Ne kemi kapërcyer një konflikt ushtarak. U bëmë anëtarë të NATO-s e kemi filluar negociatat me Bashkimin Europian.

Në 32-vjetorin e pavarësisë, drejtuesit e institucioneve kanë marrë mesazhe të shumta urimi nga liderë botërorë, mes tyre sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.