Aktualitet

Marrëveshja me Italinë për emigrantët, Sky News: Meloni planifikon vizitë në Tiranë, kampi i parë hapet në maj 2024!

Gazeta britanike Sky News i ka dedikuar një artikull marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për ndërtimin në Shqipëri të dy qendrave për strehimin e migrantëve të shpëtuar në det nga anijet italiane.

Gazeta zbulon se  kryeministrja e Italisë, Giorga Meloni po planifikon të udhëtojë drejt Tiranës në praverën e vitit të ardhshëm dhe dëshiron që kampi i parë të hapet në maj 2024, pak para zgjedhjeve evropiane.

Ndër të tjera artikulli i Sky News  thotë se marrëveshja Itali-Shqipëri është shumë më pak radikal sesa plani i Britanisë i cili parashikon dërgimin e emigrantëve në Ruanda.

Marrëveshja italiane, e shpallur nga kryeministrja Giorgia Meloni së bashku me liderin shqiptar Edi Rama, parashikon se deri në 3,000 azilkërkues mund të dërgohen në Shqipëri çdo muaj, pasi të shpëtohen fillimisht nga anijet italiane, rojet bregdetare apo policia.

Marrëveshja e përbashkët mbulon vetëm periudhën gjatë së cilës po shqyrtohen aplikimet e tyre dhe një periudhë të shkurtër më pas.

Nëse një emigranti i jepet azil, atëherë personi do të dërgohej në Itali për të filluar një jetë të re. Plani i Mbretërisë së Bashkuar, në të kundërt, përcakton që një azilkërkues i suksesshëm do të detyrohej të qëndronte në Ruandë.

Marrëveshja e Italisë me Shqipërinë thotë gjithashtu se nëse rezulton e pamundur të dërgohet dikë në vendin e origjinës, atëherë ata do të kthehen sërish në Itali pas një periudhe të caktuar kohe, që besohet të jetë 40 ditë.

Meloni dhe Rama ranë dakord drejtpërdrejtë për marrëveshjen ndërsa dy zëvendëskryeministrat e Italisë, Antonio Tajani dhe Matteo Salvini, nuk ishin në dijeni të marrëveshjes deri pak para shpalljes së saj, shkruan sky news.

Italia do të paguajë për ndërtimin e qendrave të përpunimit dhe gjithashtu do të ndajë një fond prej 100 milion € për të mbuluar çdo kosto që Shqipëria mund të ketë.

Është rënë dakord që numri i përgjithshëm i emigrantëve të strehuar në këto qendra të mos shkojë mbi 3000.

Dokumenti i marrëveshjes bën gjithashtu të qartë se synon të promovojë bashkëpunimin dypalësh në të gjithë sektorët në dritën e aderimit të Republikës së Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Shqipëria është një vend kandidat për t’u anëtarësuar në BE, pasi ka aplikuar për herë të parë në vitin 2009 dhe BE-ja ka kërkuar më shumë detaje për planin për dërgimin e emigrantëve në Shqipëri, pas pyetjeve nëse ai respekton ligjin evropian.