Numri i armenëve që janë larguar nga Nagorno-Karabakh ka kaluar 100,000, tha sot Nazeli Baghdasarian, zëdhënëse e kryeministrit armen, Nikol Pashinyan. Sipas shifrave zyrtare, rreth 120,000 armenë jetonin në enklavë përpara se të ta rimerrte Azerbajxhani javën e kaluar pas një operacioni ushtarak.
Kreu i Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR) theksoi të premten vonë mbrëma se më shumë se 100,000 refugjatë kanë mbërritur në Armeni nga Nagorno-Karabakh.
“Shumë janë të uritur, të rraskapitur dhe kanë nevojë për ndihmë të menjëhershme,” tha Filippo Grandi. \
“UNHCR dhe partnerët e tjerë humanitarë po rrisin mbështetjen ndaj autoriteteve armene, por ka një nevojë urgjente për ndihmë ndërkombëtare,” theksoi ai.
Në enklavë kanë mbetur disa nëpunës civilë, persona nga ekipet e shpëtimit, vullnetarë dhe njerëz me nevoja të veçanta, të cilët po përgatiteshin të largoheshin.
Përveç kësaj, OKB-ja njoftoi se do të dërgojë disa ekspertë në Nagorno-Karabakh këtë fundjavë, kryesisht për të vlerësuar nevojat humanitare, ndërsa organizata ndërkombëtare nuk ka pasur akses në enklavë për 30 vjet.
Të enjten, republika e vetëshpallur e Nagorno-Karabakh njoftoi vetë-shpërbërjen e saj si dhe shpërbërjen e të gjitha institucioneve të saj nga 1 janari 2024.
Brenda pak ditësh më shumë se 80% e popullsisë armene u larguan nga shtëpitë e tyre nga frika e hakmarrjes nga Azerbajxhani, duke djegur sendet e tyre personale përpara se të niseshin për në Armeni.