Aktualitet

Mbyllte dosjet e krimeve të fisit Bajri në Shkodër, KLP pezullon nga detyra kryeprokurorin e Kukësit!

Këshilli i Lartë i Prokurorisë pezullon nga detyra prokurorin e Kukësit, Xhevahir Lita, i cili u arrestua gjatë megaoperacionit me urdhër të SPAK. Pas vendimit që u mor nga mbledhja urgjente e thirrur nga kreu Alfred Balla, u hap gara për drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës dhe deri në zgjedhjen e drejtuesit të ri, zyra do të drejtohet nga Zv/ Drejtuesja, Enkeleda Hoxha.

“Sot më datë 31.07.2023 Këshilli i Lartë i Prokurorisë, u thirr në mbledhje urgjente nga Kryetari i Këshillit, zoti Balla. Dy vendimet që u morën sot janë: Pezullimi nga detyra e prokurorit Xhevahir Lita, drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës. Hapja e garës për drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës. Deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri, kjo zyrë Prokurorie do të drejtohet nga Zv/ Drejtuesja, Enkeleda Hoxha”, sipas njoftimit.

Lita u la në burg dy ditë më parë nga GJKKO, bashkë me pesë të tjerë të arrestuar. Ai akuzohet për korrupsion, pasi ka marrë para për të liruar Behar Bajrin.

Megaoperacioni i datës 27 korrik që u zhvillua nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Posaçme, SPAK, “futi në rrjetë” emra të bujshëm të fushës së krimit.

Filli që i bëri bashkë personazhe të botës së krimit, prokuror, ish-oficerë e zyrtarë të lartë të policisë ishin komunikimet në telefon. Në dorë të SPAK ranë komunikime që ata kanë pasur në rrjetet “Sky” dhe “ENCroChat’ të cilat u dorëzuan nga autoritetet franceze. Në këto komunikime ata flasin hapur mes tyre për vrasje, atentate dhe korrupsion.

Nga 15 persona për të cilët Gjykata e Posaçme nxori urdhër-arreste, policia vuri në pranga vetëm 6 prej tyre dhe 2 të tjerë u arrestuan në flagrancë. Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës është ushtruar kontroll në 26 banesa dhe ambiente ku janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale shuma monetare, automjete të ndryshme, telefona, armë zjarri dhe kamera.

Gjatë ekzekutimit të vendimeve të gjykatës janë gjetur: 8 armë zjarri (6 pistoleta, 1 automatik, 1pushkë), municion luftarak, 19 karikatorë për mbajtje municionesh, 2 baza për vendosje snajperi , 3 armë gjahu, , 2 baza karikues radiosh policie, 2 armë të ftohta, 3 maska, 1 paruke, 8 automjete (4 prej tyre të blinduara), 1 kamera kurth, 2 targa automjetesh, 3 ora dore të markave të shtrenjta, 3 409 000 lekë, 31 205 euro, 4 400 dollarë, 3 USB, 7 DVR, 28 celularë dhe 1 laptop.

NJOFTIM PËR MEDIA
MBI SEANCËN PLENARE DATË 31.07.2023

Sot më datë 31.07.2023 Këshilli i Lartë i Prokurorisë, u thirr në mbledhje urgjente nga Kryetari i Këshillit, zoti Balla.

Dy vendimet që u morën sot janë:

1. Hapja e garës për drejtues në Prokurorinë e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës.

Deri në zgjedhjen e një drejtuesi të ri, kjo zyrë Prokurorie do të drejtohet nga Zv/ Drejtuesja, Enkeleda Hoxha.