Aktualitet

Mbytja e nënës me tre fëmijët, Balla kërkon hetim të plotë dhe të thelluar, thirrje grave të denoncojnë dhunën!

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, kërkon hetim të plotë për ngjarjen e rëndë në Shkodër, ku një grua u mbyt me tre fëmijët e saj.

Në një reagim në rrjetet sociale pas përfundimit të operacionit të kërkim shpëtimit për gjetjen e trupave të pajetë, Balla falenderon palën malazeze dhe banorët e zonës për ndihmën. Ai i bën thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune.

“Fatkeqësisht, dyshimet tona për ngjarjen e rëndë dhe shumë të trishtueshme në Shkodër u konfirmuan me gjetjen e trupave të nënës dhe fëmijëve. Tani duhet t’i shkohet deri në fund hetimit të plotë të rrethanave, shkaqeve dhe fajësisë së kësaj ngjarje të rëndë. Gjykata e Shkodrës ka konsideruar të ligjshëm arrestimin e bashkëshortit nga Policia e Shtetit, e cila ka dyshime të forta se dhuna në familje, presioni psikologjik kanë shtyrë viktimën drejt këtij akti tragjik. Gjej rastin t’i bëj thirrje çdo gruaje të denoncojë çdo lloj forme dhune.

Edhe pse kanë bërë detyrën dua t’i falenderoj polumbarët e RENEA dhe të Forcës Kombëtare të Sigurisë Publike për angazhimin e tyre. Sapo kam falenderuar kolegun Danilo Šaranović, Ministrin e Brendshëm të Malit të Zi, për angazhimin efektiv të forcave të tyre policore gjatë kërkimit. Mirënjohje edhe banorëve dhe peshkatarëve të zonës për angazhimin e tyre në këto dy ditë të vështira”.

Si ndodhi ngjarja?

Vetëmbytja e Alma Arrazit dhe tre fëmijëve të saj, ishte një nga ngjarjet më të rënda të raportuara më parë në vendin tonë, që tronditi mbarë opinionin publik.

39-vjeçarja dyshohet se u largua në datën 2 maj nga shtëpia bashkë me tre fëmijët e vegjël, dy vajzat 9 dhe 6 vjeçe, dhe djalin 3 vjeç, dhe u pa për herë të fundit duke pirë kafe në një lokal në Shkodër, afër urës së Bunës.

Pas kësaj bashkëshorti denoncoi në polici zhdukjen, ndërsa nisën kërkimet për lokalizimin e tyre.

Ishte një peshkatar i zonës ai që në orët e para të mëngjesit të 4 majit, teksa kishte dalë për peshk në ujërat e Bunës, pikasi trupin e pajetë të vajës 9 vjeçare.

Menjëherë më pas forca të shumta polumbarësh nisën kërkimet përgjatë këtij lumi, Drinit, e po ashtu edhe në ujërat malazeze, për të gjetur trupat e pajetë të nënës dhe dy fëmijëve të tjerë, pasi panorama ishte e qartë… ata ishin mbytur të katërt.

Dje pasdite u gjet trupi i pajetë i vajzës së dytë, ndërsa sot u gjet 3-vjeçari e më pas edhe Alma Arrazi.

Sipas një harte, trupi i vajzës së madhe u gjet në Darragjat, 6- vjeçarja u gjet në Dajlan afër urës së Bunës, ku mendohet që janë hedhur, djali u gjet në Zues, e ndërsa nëna në Pentar.

Nga rrjedha e lumit trupat janë shpërndarë në një distancë prej 14 kilometrash.