Aktualitet Politikë

Mes debatesh te Komisioni i Ekonomisë, miratohet në parim projektligji për kanabisin!

Mes debateve e vetëm me votat e maxhorancës, sot në Komisionin kuvendor për Ekonominë dhe Financat, u miratua në parim projektligji për legalizimin e kanabisit mjekësor. Duke vënë në dukje se nuk kanë informacionin e duhur mbi draftin, opozita kërkoi të mos votohet sot. Një kërkesë e tillë iu drejtua kryetarit të komisionit, Eduard Shalsi nga Jorida Tabaku. Sipas deputetes demokrate, duhet më shumë informacion nga qeveria për zhvillimin ekonomik të sektorit në të ardhmen.

Deputeti demokrat, Edmond Spaho u shpreh se nuk e kupton përse maxhoranca po nxiton ta kalojë me shpejtësi projektligjin për kanabisin.

E hedh në votim me shpejtësi, për të përfituar nga prezenca jonë. Asgjë nuk do të prishte të duroje deri të hënën në mëngjes, meqë kemi diskutimin nen për nen, por së paku duke treguar që maxhoranca i ka numrat.

Tabaku: S’e hedh për votim nëse s’kemi marrë informacione.

Shalsi: Kush është dakord për ligjin në parim?

Tabaku: Mos na detyro të ngrihemi se ngelesh pa kuorum.

Shalsi: Mos bëj kështu!

Tabaku: E di çfarë roli ka opozita do flasim.

Shalsi: Kërcënime të tipit që po ju lëmë pa kuorum… Po e votojmë ligjin në parim e në tërësi, po miratohet.

Tabaku: Shalsi, më jep fjalën për procedurë! Ke ardhur i freskët nga konkursi i shahut. Më duket e papranueshme që të thuash jeni kundër dhe s’kemi për të folur fare. Me konstruktivitetin maksimal duke licencuar të gjitha, i kemi bërë pyetjet e kemi kërkuar informacion. Nuk më duket normale kjo mënyrë e drejtimit të komisionit. Nuk e hedh dot ligjin për ndryshim pa u sqaruar ne akoma.

Informacioni që ne kemi është i mangët. Nuk ka asnjë informacion për zhvillimin ekonomik që do të ketë sektori në të ardhmen. Për herë të parë qeveria shqiptare sjell një ligj ku thotë do të hapim një sektor dhe s’kemi informacion.

Shalsi: Nuk është hera e parë që marrim përsipër të votojmë një ligj në parim, pa patur informacion. Ju deklaroni që do jeni kundër. Pra çfarëdo t’ju thuhet do të jeni kundër.