Bota Health & Beauty

Miratohet vaksina e parë në botë kundër virusit të mushkonjave!

Autoritetet shëndetësore amerikane kanë miratuar vaksinën e parë në botë kundër chikungunya, një virus i përhapur nga mushkonjat e infektuara që Administrata e Ushqimit dhe Barnave e ka përcaktuar si “një kërcënim në zhvillim për shëndetin global”. Chikungunya, e cila shkakton ethe dhe dhimbje të forta të kyçeve, në përgjithësi gjendet në rajonet tropikale dhe subtropikale të Afrikës, Azisë Juglindore dhe pjesëve të Amerikës, por kohët e fundit është përhapur në zona të reja gjeografike.

Vaksina, e cila u zhvillua nga Valneva e Evropës dhe do të tregtohet me emrin Ixchiq, është miratuar për njerëzit e moshës 18-vjeç e lart që janë në rrezik të shtuar të ekspozimit. Drita jeshile e rregullatorit të ilaçeve në SHBA për Ixchiq pritet të përshpejtojë përhapjen e vaksinës në vendet ku virusi është më i përhapur. Sipas FDA-së, virusi, nga zonat ku ishte tradicionalisht i pranishëm, është përhapur në zona të reja gjeografike duke shkaktuar një rritje të prevalencës globale të sëmundjes me mbi 5 milionë raste të regjistruara në 15 vitet e fundit.

Deri vonë, arsyet se pse disa njerëz pickohen më shumë se të tjerët nga mushkonjat, mbetën një mister, por një studim nga Shkolla e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër mund të ketë hedhur pak dritë mbi këtë çështje, duke treguar për një lidhje të mundshme gjenetike. Mushkonjat duket se kanë aftësinë të veçojnë disa individë, duke i lënë ata të mbuluar me kruarje, ndërsa të tjerët mbeten të lumtur dhe të padëmtuar. Në këtë studim novator, studiuesit lëshuan mushkonjat, të njohura shkencërisht si Aedes aegypti, në një tub të ndarë në dy seksione.