Bota

Një vaksinë që mund të zvogëlojë kolesterolin e lartë?! Flasin studiuesit!

Një vaksinë mund të zvogëlojë kolesterolin e lartë dhe rrezikun e sëmundjeve si ato të zemrës dhe goditjet në tru brenda 10 vjetëve. Studiuesit pranë Shkollës së Mjekësisë së Universitetit të New Mexico (UNM) zbuluan se vaksina uli kolesterolin LDL (kolesteroli i keq) me gati 30% te minjtë dhe majmunët, të cilin studiuesit e përshkruan si premtuese. Vaksina funksionon duke bllokuar proteinën që rrit kolesterolin dhe do të jepet një herë në vit nëse arrin në raftet e farmacive. Studiuesit parashikojnë gjithashtu se vaksina mund të kushtojë më pak se 100 dollarë për dozë.

Vaksina do të ofronte një metodë më të qasshme për eliminimin e kolesterolit të lartë, i cili prek dy në pesë të rritur amerikanë, afro 100 milionë. Është gjithashtu një faktor kyç rreziku në sëmundjet e zemrës, të cilat shkaktojnë vdekjen e pothuajse 18 milionë të rriturve në botë çdo vit.

“Kjo është një vaksinë që ne mendojmë se mund të ketë një ndikim global. Jo vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në mbarë botën ku sëmundjet e zemrës janë një problem i rëndësishëm”-tha Bryce Chackerian, studiuesi kryesor dhe profesor i Regents në Departamentin e Gjenetikës Molekulare dhe Mikrobiologjisë në UNM. Ushqimet e yndyrshme, pirja e duhanit dhe mungesa e ushtrimeve mund të rrisin kolesterolin LDL.

Rikujtojmë, se një test për vaksinë mRNA kundër formave me rrezik të lartë të melanomës, një nga format më agresive të kancerit të lëkurës, po vazhdon të përparojë rezultate premtuese dhe mund të shkojë drejt një procesi të përshpejtuar miratimi në vitin 2025. Përgatitja quhet mRNA-4157/V940 dhe është një vaksinë eksperimentale mRNA e zhvilluar nga kompania farmaceutike Moderna. Kjo vaksinë është krijuar nga gjenomi i tumorit të çdo pacienti. Janë identifikuar mutacionet specifike kundër të cilave duhet të trajnohet sistemi imunitar, në mënyrë që ato të kodohen në “recetë” të mARN-së së vaksinës.