Fashion

Modele si zombi dhe pasarela në pellg me baltë, Balenciaga ‘shokon’ sërish me risitë!

Marka luksoze e modës Balenciaga prezantoi një koleksion të ri për verën e vitit të ardhshëm në Javën e Modës në Paris, por kësaj radhe surprizoi publikun edhe me skenografinë e krijuar. Të gjithë jemi mësuar me shfaqje magjepsëse, ku të famshmit janë në rreshtat e parë.

Megjithatë, drejtoresha krijuese e Balenciaga-s, Demna Gvasalia, i çoi në një vend pak më ndryshe, në baltë dhe pellgje. Lidhur me këtë risi, Demna u shpreh për mediat duke thënë se:

Shfaqja i referohet një metafore për kërkimin e të vërtetës, si dhe të qenit më afër, në tokë.

Për paraqitjen e kësaj skenografie është përgjegjës artisti Santiago Siera, ndërsa sfilatën e hapi reperi Kanye West. Në psarelë kishte modele që ecnin shumë çuditshëm, shumë prej tyre dukeshin si zombi. Sfilata u dominua nga krijimet e çuditshme, shumë bluza, xhaketa, ngjyra të ndezura si rozë dhe e kuqja dhe sigurisht e zeza.

Një foto e një palë shapkash të reja nga Balenciaga që thuhet se do të hidhen në treg së shpejti u shfaq në mediat sociale dhe shkaktoi bujë në komente. Balenciaga njihet si për cilësinë e mallrave të saj, ashtu edhe për dizajnet e veta dalluese. Kompania nuk ndalon kurrë së na çudituri dhe na la edhe një herë pa fjalë.

Moda ka të bëjë me eksperimentimin në ide e dizajne që nga ana tjetër bëhen tendenca për t’u ndjekur. Por Balenciaga del gjithmonë jashtë imagjinatës me krijimet e saj. Firma shfaqi disa shapka si shishe që padyshim tërhoqën vëmendjen e njerëzve, për një sërë faktorësh.

Së fundmi, rikujtojmë se shtëpia e famshme ka surprizuar sërish me një palë vathë që duken si lidhëse këpucësh, të cilët kushtojnë 250 dollarë. Po, e lexuat mirë. Të gjitha këto “çmenduri” dhe teprime të stilistëve nuk janë aspak të rastësishme, nisur nga ndikimi që kanë në sjelljen blerëse të konsumatorëve. Pasi është përballur me reagime të ashpra për vathët e saj me lidhëse, marka e famshme thuhet se vendosi t’i heqë nga koleksioni i saj i fundit, megjithëse ende nuk ka një deklaratë zyrtare për këtë.