Aktualitet

Moti i keq në fundjavë, IGJEUM paralajmëron qytetarët!

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit (IGJEUM) bën të ditur se sot priten shira mesatarë në qarkun Shkodër, si dhe të dobëta por lokalisht mesatarë në qarqet Kukës, Vlorë e Gjirokastër. Në veri, reshjet pritet të jenë në formë dëbore në lartësitë 300 metra mbi nivelin e detit.

Por më intensivë, shirat parashikohen nga data 23 deri më 26 janar, më të përqëndruara në veri e në jug të territorit. Sipas llogaritjeve hidrologjike të IGJEUM-it, kjo do të shoqërohet me rritje të prurjeve e niveleve në lumenjtë Drin, Bunë e Vjosë, si dhe në Liqenin e Shkodrës.

Në pjesët e sipërme të këtyre baseneve lumorë, mund të ketë vërshime të shpejta të përrenjve dhe lumenjve më të vegjël. Ndërkaq, nga lumenjtë e tjerë nuk parashikohet rrezik nga përmbytjet pavarësisht rritjes së prurjeve.