Aktualitet

Murtaja afrikane, Shqipëria ndalon importin e derrave nga 12 shtete!

Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka ndaluar importin e derrave të gjallë dhe produkteve të tyre, nga 12 shtete, për shkak të epidemisë së murtajës afrikane. Me një urdhër të datës 9 janar 2024 dhe i botuar sot në Fletoren Zyrtare, ky dikaster ka ndaluar importin edhe nga Maqedonia e Veriut, përkatësisht për derrat që importohen për disa nga ndarjet administrative të këtij shteti, të përcaktuar në urdhër.

Ndërsa për kafshët e gjalla të llojit derra të butë dhe të egër që do të lejohet importi nevojitet certifikata shëndetësore veterinare që duhet të vërtetojë që kafshët: a) nuk kanë shfaqur shenja klinike të murtajës afrikane të derrave ditën e dërgesës; janë mbajtur që nga lindja ose për tre muajt e fundit në një kompartament (zonë) pa prezencë të murtajës afrikane të derrave; ose janë mbajtur në një stacion karantine, të izoluar për 30 ditë përpara dërgesës dhe i janë nënshtruar një testi virologjik dhe një testi serologjik të kryer të paktën 21 ditë pas hyrjes në stacionin e karantinës, me rezultate negative.

Me herët, Ministria e Bujqësisë me urdhrat e publikuar më 29 dhjetor 2023 gjithashtu ka ndalur importet e derrave nga Sllovakia, Italia, Hungaria, Bosnjë-Hercegovina, Letonia, Lituania, Estonia, Moldavia, Polonia, Ukraina dhe Kroacia.

Edhe për këto shtete, ndalimi i importit është përcaktuar sipas ndarjeve administrative pas njoftimeve të marra nga faqja zyrtare e OIE-së dhe ADIS-it.

Murtaja afrikane e derrit është sëmundje ngjitëse virale, që shkakton ethe hemorragjike te derrat e butë dhe të egër. Sëmundja nuk transmetohet te njerëzit e as te kafshët e tjera.

Gjithashtu, Ministria e Bujqësisë ndaloi importin e shpendëve nga Kroacia, Danimarka, Hollanda, Belgjika, Italia, Bullgaria, Hungaria dhe Gjermania për shkak të influencës aviare.