Aktualitet

Nderimi për viktimat e Holokaustit, Begaj: Krenar për vlerat e popullit shqiptar në mbrojtjen e humanizmit!

Në vitin 2005 Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që shpallte 27 janarin si ‪”Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit në nderim të viktimave ‪‎të Holokaustit”. Kjo ditë përkujton miliona viktimat e politikave të gjenocidit të Gjermanisë naziste që u kryen gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe përqëndrohet në përpjekjet bashkëkohore për të luftuar urrejtjen dhe anti-semitizmin.

Presidenti Bajram Begaj shprehet se “në Ditën e Përkujtimit të Holokaustit, ne reflektojmë mbi miliona njerëz që u persekutuan dhe u zhdukën në një prej periudhave më të errëta të njerëzimit”.

Krenar për vlerat e popullit shqiptar, i cili kurrë nuk bëri kompromis as edhe me jetën e tij në mbrojtjen e kauzës së humanizmit. Le të na shërbejnë historitë e tyre që të kundërshtojmë me vendosmëri urrejtjen, diskriminimin dhe çdo padrejtësi tjetër në dëm të njerëzimit.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, rreth gjashtë milion njerëz u vranë, në përpjekjen sistematike naziste për shfarosjen e hebrenjve. Hebrenj nga e gjithë Gjermania dhe vendet europiane të pushtuara prej saj, u grumbulluan në kampe përqendrimi, ku u helmuan me gaz, u qëlluan, u lanë të vdisnin urie.

Në kampin Aushvitc vdiqën më shumë se një milion njerëz, të vrarë në dhomën e gazit, të rraskapitur nga kushtet e pamundura të punës, ekzekutimet e shumta, rrahjet dhe torturat nga agjentët.

Viktimat ishin kryesisht hebrenj, rusë, polakë dhe romë. Kampet e vdekjes, vendet e terrorit u çliruan më 27 janar 1945. Momentet e shpresës, në të cilën u gjetën rreth 7 mijë të burgosur ende gjallë, njerëzimi i kujton ende sot, pas 76 vitesh, në ditën e përkujtimit të Holokaustit. ‪‎

Roli i Shqipërisë për të shpëtuar hebrenjtë nga tmerret e Holokaustit është i ditur botërisht. Shqipëria është një prej vendeve të rralla në botë ku gjatë Luftës së Dytë Botërore, u strehuan e gjetën shpëtim, jo vetëm hebrenjtë që jetonin në Shqipëri, por edhe disa mijëra hebrenj të vendeve të Ballkanit dhe të Europës Qendrore.