Showbiz

Ndërron jetë truproja dhe miku i saj, Jessie J largohet nga rrjetet sociale

Orë më parë këngëtarja britanike Jessie J ka lajmëruar nëpërmjet platformave sociale se truproja dhe miku i saj më i mirëm Dave ka ndërruar jetë.

Edhe pse nuk e zbuloi arsyen e largimit të parakohshëm nga jeta të tij, 30-vjeçarja theksoi se Dave ishte një ndër pjesëtarët e parë që i ishte bashkuar stafit të saj vite më parë dhe e konsideronte atë si familje.

Ajo ka shpërndarë në Instagram disa foto e video të momenteve më të bukura të tyre ndër vite me anë të të cilave këshilloi fansat e saj të kalojnë më tepër kohë me familjen dhe njerëzit që e bëjnë jetën e tyre edhe më të bukur.

Në postimin e fundit Jessie J tha se do të tërhiqet përkohësisht nga përdorimi i rrjeteve sociale për të kaluar në privatësi këtë periudhë të vështirë. Këngëtarja u tha fansave se gjatë kësaj kohe do të përqëndrohet në kujdesjen ndaj vetes dhe shpenzimit të kohës me njerëzit e dashur.