Bota

Ndihma amerikane shtesë për Ukrainën, reagime entuziaste nga BE-ja e NATO!

Bashkimi Europian përshëndet miratimin e ndihmës amerikane shtesë për Ukrainën. Në një postim në X, presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen shkroi:

Përshëndes votën jashtëzakonisht pozitive të Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara. Ukraina meriton të gjithë mbështetjen që mund të marrë kundër Rusisë. Aleatët transatlantikë janë të bashkuar në mbështetje të lirisë dhe demokracisë.

Po në X, reagoi edhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel:

Mirëpres votimin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-ve për të miratuar paketën vendimtare, të vonuar prej 60 miliardë dollarësh për Ukrainën. Kjo i dërgon një mesazh të qartë Kremlinit  se ata që besojnë në lirinë dhe Kartën e Kombeve të Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Ukrainën dhe popullin e saj.

Nuk vonoi as reagimi i NATO-s. Për sekretarin e Përgjithshëm, Jens Stoltenberg, miliardat e ndihmës ushtarake për Ukrainën janë një investim në sigurinë e shteteve të NATO-s.

Ukraina po përdor armë të furnizuara nga aleatët e NATO-s për të shkatërruar aftësitë luftarake ruse. Kjo na bën të gjithëve më të sigurt, në Europë dhe në Amerikën e Veriut.

Me mbështetje të gjerë dypartiake e mes kundërshtimeve të republikanëve të vijës së ashpër, dje Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit Amerikan miratoi ndihmën ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin. Tani, ligji kalon në Senatin me shumicë demokrate e që miratoi një projektligj të ngjashëm, mbi dy muaj më parë.

Që nga presidenti Joe Biden e deri tek kreu i republikanëve në Senat, Mitch McConnell, prej kohësh i kërkonin kryetarit republikan të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ta hidhte në votim draftin. Demokratët dhe republikanët bashkuan votat për ta mbështetur, pas një beteje disamujore lidhur me pjesën e ndihmës ushtarake shtesë për Ukrainën ndërsa vendi vazhdon përpjekjet për të zmbrapsur agresionin rus.

Pjesën e ndihmës për Ukrainën prej 61 miliardë dollarësh, Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi  me një mbështetje dërrmuese, në një demonstrim të fortë të mbështetjes amerikane.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha se vendimi i SHBA-ve “do të shpëtojë mijëra e mijëra jetë”.

Ne shpresojmë që projektligji do të mbështetet në Senat dhe do t’i dërgohet presidentit Biden. Faleminderit Amerikë! Demokracia dhe liria gjithmonë do të kenë rëndësi botërore dhe kurrë nuk do të dështojnë për aq kohë sa Amerika ndihmon në mbrojtjen e tyre!