Aktualitet

Në Greqi mbetet i lartë aktiviteti i rrjeteve shqiptare të drogës!

Vitin e kaluar ishte në rritje aktiviteti i rrjeteve shqiptare të drogës në Greqi. Kështu vlerëson një raport i fundit i Departamentit të Policisë së Antidrogës greke. Sipas dokumentit, mbi 40% e kanabisit të bllokuar më 2022-shin në Greqi, kishte hyrë nga Shqipëria, ndërsa rrjetet shqiptare kanë peshë pas atyre greke në trafikun e shpërndarjen e heroinës dhe kokainës.

56.6% e të akuzuarve si anëtarë të Grupeve të Organizuara Kriminale në fushën e narkotikëve ishin shtetas grekë, të ndjekur nga shqiptarët me 26%, pakistanezët 3%, etj. Sasia totale e kanabisit, e përpunuar dhe e papërpunuar, e sekuestruar në vitin 2022 në Greqi ishte 6.2 tonë ndërsa rreth 2.5 tonë (40.28% ) u identifikua se vinte nga Shqipëria.

Në Greqi, kanabisi i papërpunuar importohej kryesisht përmes kufirit tokësor me Shqipërinë, me automjete të përshtatura për të fshehur sasinë e lëndës narkotike.

Sipas antidrogës greke rreth 1.6 tonë kanabis u bllokua në zonat kufitare të Greqisë me Shqipërinë ndërsa pjesa tjetër, më në brendësi të territorit grek.

Për veprat penale në transportin e shpërndajen e kanabisit, më 2022-shin, në Greqi u arrestuan 885 shtetas shqiptarë nga 748 të prangosur në vitin 2021.

Rrjetet shqiptare janë aktive dhe në trafikun e shpërndarjen e heroinës ku shtetasit nga Shqipëria përbëjnë 19% të pjesëtarëve të grupeve kriminale, renditur pas grekëve, me 68% të tyre.

Ishte 139.71 kilogramë sasia totale e heroinës së kapur në vitin 2022 në Greqi, duke shënuar rënie prej 61.66% krahasuar me vitin 2021. Vlera e sasive të sekuestruara të heroinës nëse droga do të shitej në treg përllogaritej në mbi 2.6 milion euro.

Edhe në trafikun e shpërndarjen e kokainës, shqiptarët përbënin 31% të anëtarëve të grupeve të organizuara kriminale, renditur të dytët pas grekëve me rreth 57% të autorëve të arrestuar.

Sasia totale e kokainës së kapur në vitin 2022 në Greqi ishte 899.688 kilogramë, duke shënuar rënie prej 17.14% krahasuar me vitin 2021.

Megjithatë, sasitë e kapura të kokainës mbeten të larta për të katërtin vit radhazi për nivelet e Greqisë.

Kokaina e sekuestruar u konstatua se vinte në Greqi në masën më të madhe, (60.77%) drejtpërdrejt nga vendet e Amerikës Latine dhe si mjete transporti përdoreshin kontejnerët e ngarkuar me banane.

Nëse shitej në tregun kriminal, vlera e kokainës së sekuestruar në Greqi është vlerësuar mbi 76.5 milion euro.