Aktualitet

Nga 1 prilli, pensionet rriten me 3.3%!

Nga e premtja e kësaj jave, pensionet rriten me 3.3%. Nga vendimi për indeksimin e tyre, i miratuar sot në mbledhjen e qeverisë përfitojnë të gjithë pensionistët. Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj deklaroi se “vendimi erdhi pasi çmimet në janar e shkurt shënuan rritje”. Kjo masë i shtohet Paketës së Rezistencës Sociale, nga e cila 576 mijë persona përfitojnë bonus 3 mijë lekë. Paketa subvencionon edhe çmimin e energjisë për të gjithë qytetarët, mbështet me 500 milion lekë fermerët për të përfituar naftën pa taksa, si dhe transportin publik që çmimi i biletës të mos lëvizë.

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi se “Këshilli i Ministrave kaloi sot dy projektligje  të rëndësishme që vijnë si propozim i Ministrisë së Drejtësisë, ku nëpërmjet dy projektligjeve ne do të ratifikojmë dy konventa të rëndësishme të Këshillit të Evropës”.

Pas mbledhjes së qeverisë, Manja u shpreh:

Me ratifikimin në Parlament dhe me nënshkrimin nga shtetet pjesëmarrëse, të dyja këto konventa të rëndësishme do të bëhen pjesë e të drejtës tonë të brendshme dhe do jenë një përforcim i kuadrit tonë ligjor në drejtim të së drejtës së informimit dhe mbrojtjes së të dhënave personale. Konventa e Këshillit të Evropës mbi aksesin në dokumente zyrtare është treguesi i vullneti tonë të fortë për transparencën e autoriteteve publike si një element thelbësor i qeverisjes së hapur dhe i pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje të rëndësishme dhe në çështje me interes publik. Ndërsa lidhur me konventën tjetër, që ka të bëjë me mbrojtjen e individëve nga përpunimi automatik i të dhënave personale, ka 35 vjet që shërben si baza e legjislacionit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së të dhënave personale në mbi 40 shtete dhe i vetmi instrument detyrues ligjor që ka të bëjë me të dhënat personale.

Me hyrjen në fuqi të kësaj konvente rriten standardet e mbrojtjes së të dhënave personale për qytetarët shqiptarë njëlloj si për të gjithë shtetasit e tjerë të BE-së, po ashtu lehtëson qarkullimin e të dhënave personale ndërmjet BE-së por edhe jashtë BE-së. Janë dy konventa të rëndësishme të cilat do të votohen në Parlament dhe pastaj janë të hapura për nënshkrim nga vendet pjesëmarrëse.

Qeveria shqiptare miratoi edhe një projektligj të ri, shpalljen e moratoriumit të gjuetisë për 5 vitet në vijim. Lajmin e bëri të ditur ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro. Në censusin e zhvilluar në vitin 2016 janë konstatuar rreth 60 mijë lloj shpendësh të egër në habitatet e ekosistemit shqiptar, ndërsa në vitin 2021, afro 140 mijë të tillë.

Kemi një ndalesë totale të aktivitetit gjuetar edhe nga gjuetarë të huaj, të cilët në kohën që nuk ka qenë ky moratorium, vinin në mënyrë të shpeshtë për të gjuajtur, por përdorin dhe mjete të paligjshme për gjueti.