Personazhe që i kemi pëlqyer dhe mund të na kanë shenjuar periudha të ndryshme të jetës nëpërmjet artit apo ndikimit të tyre në publik, do të vijnë me një stil shumë personal interviste në “Ku Ke Humbur” me Jonida Aliçkollin. Për një periudhë kohe ata kanë qenë të famshëm e shumë të dashur nga publiku por kanë zgjedhur të tërhiqen nga karriera e tyre apo edhe daljet në ekran. E ftuar në këtë episod ka qenë moderatorja e mirënjohur Aida Shtino, e cila ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me karrierën e saj ku gjithashtu ka rrëfyer edhe më shumë për jetën e saj personale.
Cilat ishin rrugëtimet që ajo ka bërë në karrierë derisa ne njohëm Aidën e “Njerëz të humbur”?
Në fakt, unë kam jetuar pasi kam mbaruar studimet në Tiranë për gjuhë dhe letërsi. Jeta ime u zhvendos në Greqi, ku isha e martuar edhe aty vazhdoja jetën. Ndërkohë, ndoqa edhe studimet për gazetari investigative. Aty u futa në rrugën e gazetarisë dhe me të thënë të drejtën ajo më shërbeu si një shkollë për të mësuar gazetarinë e vërtetë. Aty pastaj punoja në një gazetë që dilte edhe në gjuhën shqipe. Ka qenë një telefonatë e çuditshme, një rastësi që unë nuk besoj shumë tek rastësitë, por një telefonatë ishte nga një emision që zhvillohej në Greqi, i cili kishte të njëjtën tematikë, pra që kërkonte njerëzit e humbur. Ishte nga stafi i këtij emisioni. Donin që ne të publikonim historinë e një të humburi që ishte shqiptar dhe donin që ta publikonin në gazetën tonë. Qëlloi që atë ditë isha unë bëja faqosjet e fundit që të dilte gazeta dhe me shumë kënaqësi domethënë e bëra. E përktheva në shqip. Kur ai u transmetua në gazetë pati shumë telefonata dhe filluam bashkëpunimin. Derisa erdhi një moment që më thërritën edhe më ofruan një vend pune që unë të punoja në këtë televizion si gazetare e jashtme. Pra, mbaja edhe punën aty, edhe në gazetë.
Më tej, ajo shtoi:
Ndërsa pas shumë vitesh, domethënë rreth viteve 2005, më vjen një ofertë për tu kthyer në Shqipëri dhe për të bërë një emision siç bëhej në Greqi. Edhe me thënë të drejtën ka qenë një vendim shumë i vështirë, sepse unë kisha krijuar jetën atje. Kisha lindur djalin. Ai kishte filluar shkollën. Edhe ishte shumë e vështirë që pas shumë vitesh unë të rikthehesha. Por tani them që kam bërë shumë mirë që jam kthyer, sepse fillimi gjithmonë ka qenë i vështirë, sepse në 2005 në Shqipëri ishte pak gjendja. Plus edhe që një gazetare femër të udhëhiqte një emision të tillë.