Celebrities Ku ke humbur? | News Magazine

“Sigurisht që mund ta bëja…”/ Aida Shtino lajmëron rikthimin e “Njerëz të humbur”?!

Personazhe që i kemi pëlqyer dhe mund të na kanë shenjuar periudha të ndryshme të jetës nëpërmjet artit apo ndikimit të tyre në publik, do të vijnë me një stil shumë personal interviste në “Ku Ke Humbur” me Jonida Aliçkollin. Për një periudhë kohe ata kanë qenë të famshëm e shumë të dashur nga publiku por kanë zgjedhur të tërhiqen nga karriera e tyre apo edhe daljet në ekran. E ftuar në këtë episod ka qenë moderatorja e mirënjohur Aida Shtino, e cila ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me karrierën e saj ku gjithashtu ka rrëfyer edhe më shumë për jetën e saj personale.

Si i sheh ajo emisionet e sotme në Shqipëri që kanë marrë frymëzimin nga “Njerëz të humbur”?

Ne nuk e kemi bërë për show. Madje kemi pasur raste kur mund të kisha bërë show të paparë me histori, por kam zgjedhur të respektoj privatësinë e familjarëve, sepse nuk mund të thyeja unë zemrën e një nëne apo të një babai, duke i treguar live historinë e fëmijës së tij që e zëmë kishte ndërruar gjini, ose kishte ndërruar jetë. Ishte e pamundur. Madje ne kur ja thoshim, merrnim psikologun. Jo në transmetim direkt asnjëherë. Ne në transmetim direkt kemi dhënë vetëm lajme të mira. Këtë kemi dashur. Unë vetë nga natyra jam pozitive dhe dua që të ngelin këto gjëra të mira dhe pozitive. Ka qenë shumë e vështirë kur kemi pasur raste se fëmija nuk jetonte ose personi që kemi pasur nuk jetonte për t’ja thënë familjarëve dhe për këtë merrnim psikolog derisa i përgatisnim ata që ta përthithnin.

A do ta bënte sot ajo të njëjtën gjë?

Sigurisht që mund ta bëja, sepse është një pjesë e imja që është ndërprerë. Si ai filmi që është ndërprerë që është dhënë diku dhe ka publicitet dhe ky publiciteti është shumë i gjatë. Madje kur unë flas me kolegët e mi, sepse siç bëheshe një emison i tillë në Shqipëri vazhdon të bëhet në Greqi, në Itali, në Hollandë, në Rusi dhe unë kisha lidhje me të gjitha programet nga bota. Dhe nëse humbte ndonjë person dhe kishte ardhur në Shqipëri nga Hollanda, ne e kërkonim dhe bënim lidhje direkte.

Do të ketë një rikthim?

Nuk e di. Varet sa serioz do të jetë televizioni. Sa do të marrë përsipër një sipërmarrje të tillë, e cila nuk është e lehtë. Do angazhim. Nuk është e lehtë. Dhe idea është, atë që thatë edhe ju, që janë hapur programe si motrat por ne nuk duam që të bëjmë show. Ne duam të ndihmojmë njerëz në mënyrë mediatike.