Aktualitet

Nga viti i ardhshëm, për shqiptarët udhëtimi për në vendet e BE-së nuk do të bëhet pa autorizimin ETIAS

Nga viti i ardhshëm, për shqiptarët udhëtimi për në vendet e BE-së nuk do të bëhet pa autorizimin ETIAS, i krijuar për të identifikuar çdo risk që lidhet me një vizitor të përjashtuar nga viza që udhëton në Schengen.  Shtetasve të vendeve me liberalizim të vizave ku përfshihet Shqipëria do t’iu kërkohet ETIAS si kusht i detyrueshëm për hyrje në Schengen. Sistemi Elektronik i Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit synon filtrimin e udhëtarëve dhe vlen për çdo shtet që ka përfituar liberalizimin e vizave me BE-në.

“Do të duhen vetëm disa minuta për të plotësuar një aplikim në internet, i cili në një shumicë dërrmuese të rasteve (mbi 95 për qind) do aprovojë automatikisht hyrjen”, thotë Katarzyna Kolanko, zyrtare e Komisionit Europian.

Sipas ndryshimeve, aplikantët duhet t’i përgjigjen në një seri pyetjesh duke futur informacione themelore siç janë emri i tyre, adresa, data e lindjes dhe detajet e pasaportës. Do të ketë gjithashtu disa “pyetje që lidhen me shëndetin dhe sigurinë”.

Çdo shqiptar që do të udhëtojë në një vendet e zonës Shengen do të duhet të aplikojë fillimisht, të paguajë një tarifë prej shtatë eurosh dhe të presë për përgjigjen elektronike nëse udhëtimi i tij aprovohet.

Sipas autoriteteve pasi një qytetar të marrë dritën jeshile nga kontrollet e sigurisë, ai do të jetë i vlefshëm për tre vjet për një numër të pakufizuar udhëtimesh në vendet e BE.

Por edhe pse procedura është në dukje e thjeshtë, ajo mund të paraqëse probleme për ata të cilët nuk e përdorin mirë internetin.