Aktualitet

Nis trajnimi i 16 mijë mësuesve, procesi do të zgjasë dy vite, fokusi te inovacioni dhe teknologjia e avancuar!

Ka nisur Programi Kombëtar i Zhvillimit Profesional të Mësuesve, që synon që brenda 2 vjetëve të trajnojë 16 mijë mësues të klasave nga e para në të 12-tën në të vendin, duke i pajisur me aftësi dhe njohuri, që do ndikojnë pozitivisht në rritjen e cilësisë së arsimit në Shqipëri.

 “Ministria e Arsimit, nëpërmjet ASCAP në bashkëpunim me universitetet kryesore të vendit, ka nisur trajnimin  e mësuesve në kuadër të Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve për vitin akademik 2024-2025”, deklaron për Top Channel Gerti Janaqi, Drejtor, Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar.

Programi filloi me trajnimin e mësuesve nga shkollat në Durrës, Korçë, Elbasan dhe Tropojë, dhe do të zgjerohet për të përfshirë më shumë se 4000 mësues nga e gjithë Shqipëria deri në fund të vitit 2024.

Synimi është trajnimi i mbi 16,000 mësuesve në vend brenda 2 viteve.

Programi po mbështetet nga 7 universitete publike të njohura për ekselencën në formimin e mësuesve, duke përfshirë Universitetin e Tiranës, Elbasanit, Durrësit, Korçës, Vlorës, Gjirokastrës, dhe Shkodrës.

Këto institucione ofrojnë trajnime të specializuara në Matematikë, Shkencë, Gjuhë, dhe për Arsimin Fillor, duke përgatitur mësuesit për sfidat e mësimdhënies në epokën digjitale.

Një mësues duhet të ketë 6 ditë trajnim në një vit. Ato janë falas dhe kryhen në fundjavë. Janë të detyruara, në kuadër të edukimit në vazhdim.

Pedagogë dhe trajnerë të zgjedhur për ekspertizën e tyre po japin një mbështetje të vazhdueshme dhe të personalizuar për mësuesit, duke garantuar një zhvillim profesional cilësor dhe të orientuar drejt praktikës.

Ky program synon të revolucionarizojë sistemin arsimor përmes përgatitjes së mësuesve me metodologji inovative të mësimdhënies dhe teknologji të avancuara dhe nxit një ndryshim thelbësor në mënyrën se si mësohet dhe sesi mësimdhënia duhet të praktikohet.