Bota

Norvegjia arreston një ish-komandant të Wagnerit që tentoi të kthehej në Rusi!

Policia në Norvegji njofton arrestimin e një ish-komandanti të grupit mercenar Wagner, nën dyshimet se ai ka tentuar që të kalojë ilegalisht kufirin për t’u kthyer në Rusi, pasi kërkoi azil në Norvegji më herët gjatë këtij viti. Mësohet se Andrei Medvedev, i cili ka ikur nga Rusia përmes kufirit me Norvegjinë nisi të vraponte kur rojet kufitare ruse qëlluan me armë zjarri ndaj tij.

Përmes një deklarate, Policia e Norvegjisë bëri të ditur se një shtetas rreth të 20-ave u ndalua lidhur me përpjekjet që të kalonte ilegalisht kufirin për në Rusi, por nuk ia përmendi emrin.

Kalimi i kufirit të Norvegjisë me Rusinë lejohet vetëm në disa pika. Por, avokati i Medvedevit, Brynjulf Risnecs vuri në dukje se arrestimi i tij është bërë pas një keqkuptimi.

Atje, ai shkoi për të gjetur vendin se ku e kaloi kufirin në muajin janar dhe u ndalua kur ndodhej në një taksi. Kurrë, Andrei Medvedev nuk i është afruar kufirit e nuk ka qenë kurrë synimi i tij që të hyjë në Rusi.

Kur shkoi për herë të parë në Norvegji, Medvedev tha se kërkoi azil nga frika se mund të vritet, pasi ka dëshmuar për vrasjen dhe keqtrajtimin e të burgosurve rusë që janë dërguar në frontin e luftës në Ukrainë, luftë që vijon prej muajit shkurt të vitit 2022.

Ikja e tij në janar u bë lajm kryesor në mediat botërore, si një shembull i rrallë i dikujt që ka ikur në një shtet perëndimor, ndonëse ka pretenduar se ka luftuar për Rusinë si mercenar, në luftën në Ukrainë.

Themeluesi i Wagnerit, Yevgeny Prigozhin gjeti vdekjen një muaj më parë kur një avion privat ku udhëtonte me të tjerë persona, u rrëzua në rrethana ende të pasqaruara siç duhet nga autoritetet.

Mjeti fluturues u rrëzua vetëm dy muaj pasi nisi një rebelim të shkurtër kundër udhëheqjes ushtarake në Moskë dhe nga presidenti rus, Vladimir Putin u etiketua si “tradhtar”.