Botë e Çuditshme

Nuk mund t’i shpëtonte trend-it, Elon Musk kërkon të heq dorë nga punët e tij për t’u bërë…

Shefi ekzekutiv i Tesla-s, Elon Musk “po mendon” të braktisë pozicionet e tij aktuale në kompanitë që drejton dhe të bëhet një “influencer” me kohë të plotë. Të paktën kështu është shprehur krijuesi i SpaceX në një postim në Twitter.

Mendoj të heq dorë nga punët e mia dhe të bëhem një influencer me kohë të plotë, si mendoni?

Më pas, ai iu përgjigj edhe një ndjekësi që i sugjeroi të hapte një llogari në ‘OnlyFans’ duke i thënë:

Ndoshta e bëj.

Sidoqoftë nuk është e qartë nëse njeriu më i pasur i botës e ka seriozisht këtë. Jo më larg se në janar ai tha se pret të jetë shef i Tesla-s për disa vite. Për më tepër, ai është i njohur për shakatë thumbuese, të cilat, siç ka pranuar, “jo gjithnjë qëllojnë në shenjë”. Ndërkaq, rikujtojmë se së fundmi miliarderi ka thënë se njerëzit duhet të kenë më shumë fëmijë pasi sipas tij nuk ka “njerëz të mjaftueshëm” në Tokë.

Në një intervistë virtuale me “Wall Street Journal”, Musk kundërshtoi pretendimet se kontrolli i popullsisë është i nevojshëm në të gjithë globin. Duke folur për inovacionin e tij të fundit, ‘Tesla Bot’, në Samitin e Këshillit të CEO të WSJ, Musk insistoi se njerëzit duhet të kenë më shumë fëmijë.

Në vitin 2017, një studim nga kërkuesit e Universitetit Lund në Suedi, zbuloi se një fëmijë i lindur në botën e zhvilluar lë një gjurmë karboni prej 58.6 tonë metrikë për çdo vit të jetës së tyre. Në atë kohë, autorët rekomanduan që një mënyrë se si njerëzit mund të reduktojnë emetimet e tyre të gazeve serrë është duke pasur më pak fëmijë.

Vlen të theksojmë se Elon ka thënë gjithashtu se kompania e tij ‘Neuralink’ planifikon të vendosë çipa në trurin e njerëzve që nga viti i ardhshëm. Sipas mediave të huaja, këto çipa do të implantohen në trurin e njerëzve për të regjistruar dhe stimuluar njëkohësisht aktivitetin e trurit.