Rajoni

Nuk quhet më Mini-Shengen por Open Balkan, apel për më shumë pjesëmarrës!

Mini-Shengeni pagëzohet si “Open Balkan”, Rama, Zaev dhe Vuçiç kërkojnë zgjerimin me shtete tjera përveç Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut e Serbisë. Ndryshimi i emrit u bë në Forumin Ekonomik për Bashkëpunimin Rajonal të zhvilluar sot në Shkup e të kundërshtuar nga kryeministri i Kosovës. Sipas Kurtit, “rajoni duhet t’i kthehet axhendës së Bashkimit Europian, jo atyre” që i quan “nisma të dëmshme për shqiptarët”.

Për kryeministrin Rama, “kush thotë që kjo është nismë e projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë, për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t’i dhënë hegjemoninë Serbisë se ajo është më e madhe, se do të na marrë gjithë çfarë kemi, së pari jeton në një botë paralele”.

Së dyti jeton për politikë në lëkurën e njerëzve e jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve dhe së treti, harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se edhe BE-ja është një Jugosllavi e madhe. Nëse BE-ja është Jugosllavi e madhe, atëherë kjo nismë do të ishte një Jugosllavi e vogël…. Çështjet e të shkuarës zgjidhen shumë më lehtë nëse sytë janë nga e ardhmja.

Presidenti serb Vuçiç theksoi se “bashkëpunimi është mundësia e vetme për zhvillimin e rajonit”. Ai foli kundër pretendimeve se njëri shtet apo tjetër do të fitojë më shumë.

Kjo nismë nuk është e orientuar kundër askujt por drejt qëllimit që qytetarët tanë të bëjnë një jetë më të mirë. Nuk ka gjë më të shenjtë se kjo.

Vuçiç tha se nga janari i vitit 2023 do të ketë kufi, por jo ndalesa për qytetarët e tre shteteve. Ndërkaq, apel për t’iu bashkuar nismës bëri edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev.

Në Forumin Ekonomik për Bashkëpunim Rajonal në Shkup, kryeministrat e Maqedonisë së Veriut e Shqipërisë, Zaev e Rama, si dhe presidenti i Serbisë, Vuçiç, nënshkruan dy memorandume e një marrëveshje ndërshtetërore. Synim është lehtësimi i lëvizjes së njerëzve dhe mallrave, me qëllim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ekonomik.

Marrëveshja ka të bëjë me ndërtimin e korsive të shpejta në pikat kufitare, për kalimin më të shpejtë të njerëzve nga shtetet e rajonit. Ajo përmban edhe dispozita sa i përket thjeshtësimit të formaliteteve për importin, eksportin e lëvizjen. Përkatësisht: transportimin e mallrave; bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente; Po ashtu, dispozitat e veçanta për sigurinë e ushqimit, çështjet veterinare e lëvizjen e lirë të produkteve industriale jo-ushqimore.

Marrëveshja e Bashkëpunimit për Mbrojtje e Shpëtim nga Katastrofat në Ballkanin Perëndimor dhe Memorandumi i Mirëkuptimit për Lehtësimin e Importit, Eksportit e Lëvizjes së Mallrave në Ballkanin Perëndimor, dalin nga Nisma për Bashkëpunim të Avancuar Ekonomik Rajonal mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.

Dokumentet paraqesin funksionalizimin e iniciativës për të përmirësuar kushtet në lidhje me shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve, si dhe nismën për bashkëpunim mes vendeve në drejtim të mbrojtjes e shpëtimit nga katastrofat. Forumi i Shkupit për Bashkëpunim Rajonal në Ballkanin Perëndimor, i organizuar nga Dhomat e Tregtisë të Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë ka mbledhur shumë se 300 kompani nga këto tre vende, si dhe ekonomi të tjera rajonale dhe europiane.

Gjithashtu përfaqësues të qeverive, institucioneve financiare, universiteteve, delegacioneve e shoqatave ndërkombëtare. Shumica e kompanive janë nga sektori i ndërtimit, ai agro-ushqimor, energjia, industria e automjeteve, tekstilit, turizmit, programimit, telekomunikacionit, transportit e fushave të tjera. Në kuadër të forumit janë mbajtur edhe takime të shumta të biznesmenëve nga rajoni ku u shkëmbyen pikëpamje për thellimin e bashkëpunimit ekonomik.